Pavarësisht se kryeministri Edi Rama para disa vitesh i kishte besuar një post si ai i Drejtores së Tatimeve, Brisida Shehaj ka marrë pjesë në protestën kundër shembjes së Teatrit ndërsa ka deklaruar se kurrë nuk ka votuar për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Mirëpo në mesin e socialistëve, duket se kjo deklaratë e fundit e Shehajt nuk po besohet. Anila Çobani, e cila është ish-anëtare e Asamblesë së PS-së, ka reaguar duke i kujtuar Shehajt kohët e vjetra në PS.
“Për kë pjellë foli kjo…gjuhëtarja pa gjuhë, por me llapë ?! Si ka mundësi që kjo s’ka votuar Kryetarin e Bashkisë kur me llapë i shtronte rrugën nga shkalla e parë e PS deri në shkallën e fundit! Si merr guximin dhe flet për taksat kur mori postin dhe drejtoi me taborin e më të korruptuarve që gjeti! Për kë teater të vjen keq ty moj… teatërmadhe?! Po Teatri nuk luhet me mesazhe telefonash qe s’di as t’i lexosh, por me AKTORË E NDËRTESA DINJITOZE!! Po për cilën strategji ekonomie flet ti kur në kohën tënde, strategjitë i trumpetove duke i mbyllur me thënien legjendë: KU QËNDRON PROBLEMI KËTU?? Qëndron tek ty dhe ata që të përdorin, me apo pa jargë!”- shkruan Çobani në rrjetet sociale.
Brisida Shehaj foli për herë të parë për largimin nga posti drejtues tek Tatimet ndërsa ishte e ftuar në emisionin “Tempora” të gazetares, Sonila Meço.
Ajo foli për shembjen e Teatrit dhe arsyet pse ka qenë në protestë, duke zbuluar gjithashtu për herë të parë se edhe pse është socialiste nuk e ka votuar Erion Veliajn për kryebashkiak.
“Unë nuk e kam votuar zotin Veliaj dhe nuk pres ndonjë gjë të madhe nga z. Veliaj. Absolutisht që unë jam e majtë. PS ka pikërisht këtë vlerë, lirinë e saj. Dhe ne nuk na diktonte. Mua nuk më merrte ndonjëherë kryeministri në telefon të më thoshte kë të votoja apo çfarë të firmosja.
Sepse nuk pashë një njeri që të kishte program. Unë në 2019 nuk kam vajtur fare të votoj dhe të votoj z. Veliaj. Nuk kishte as program, as platformë, në asgjë. Sa për zotin Rama më pas, është një njeri që e kam votuar, e kam votuar me bindje të plotë që ai do bënte ndryshime dhe që ne do të ishim ndryshe. Kur shoh ato pamjet, ajo ishte arsyeja që unë isha aty. Nuk ishte e nevojshme. Unë sot nuk di ti jap një përgjigje pyetjes Pse. Unë dua të them atë që më duket normale dhe më duket ligjore. Në momentin që këta njerëz abstragojnë nga kjo rruga normale dhe rruga ligjore, unë do jem prap te sheshi, qoftë Edi Rama, qoftë babai im, qoftë nëna ime.”, është shprehur ish-drejtoresha e Tatimeve.