Vendosni fjalën kyçe....

Profil/ Lidhjet e gazetarit kosovar që kompleksoi Edi Ramën


Dy ditë më parë, aktivisti i shoqërisë civile, Rron Gjinovci, u përball me kryministrin Rama në një debat televiziv online.

Debati erdhi pas prishjes së Teatrit Kombëtar dhe Gjinovci ishte pjesë e panelit të emisionit ‘Pressing’ në T7 në Prishtinë.

Gjinovci i tha kreut të qeverisë se kishte kryer veprime terroriste në prishjen e teatrit ndërsa i kujtoi edhe dhunën ndaj qytetarëve.

“Nuk mund ta besojë kurrkush që krejt këtë terrorizim që keni bërë për dy ditë, e keni bërë për arsye estetike. Dhe nuk e di si doni me i bind më njerëzit që prapa këtij veprimi terrorizues nuk qëndron ajo që thatë më herët ‘zhvillimi i pjesës mbrapa Teatrit’, që në fakt kërkohet prej oligarkëve, që tani të gjithë mendojnë se qëndrojnë vërtet prapa jush dhe që ju nuk qeverisni fare më Shqipninë. Më vjen keq, prej teje nuk kam me mësu kurrgjo për besë. Qysh me qenë diktator, autoritar, kaq. Më shumë s’ke ça të më mësosh.” – i thotë Gjinovci kryeministrit Rama.

Po kush është Rron Gjinovci

I riu nga Kosova është drejtori ekzekutiv i ORCA (Organization for Improving Quality in Education), një organizatë që është financuar nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur e miliarderit George Soros në projekte në fushën e arsimit.

Në raportin vjetor të vitit 2016, ORCA ka përfituar nga Fondacioni Soros rreth 37 mijë euro për projekte të ndryshme në fushën e arsimit. Në vitin 2017 ka përfituar rreth 99 mijë euro ndërsa një vit më vonë, 2018, ORCA ka përfituar rreth 33 mijë euro.

Ai është bashkëthemelues i ORCA-s, anëtar i kryesisë së Shoqatës së Filozofëve të Kosovës dhe aktivist i shoqërisë civile.

Gjinovci e filloi aktivitetin në vitin 2010 si bashkëthemelues i organizatës studentore Studim Kritikë Veprim (SKV) e cila u angazhua për luftimin e korrupsionit në vitet 2010-2012 duke ndërmarrë një sërë aksionesh kundër menaxhmentit të kohës.

Ai u bë i njohur për publikun në vitin 2011 kur hodhi ngjyrë të kuqe mbi rektorin e atëhershëm gjatë ceremonisë së shënimit të 41 vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës (UP).

Deri në vitin 2012 ai ishte aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje. Nga 2012 deri më 2016 vazhdoi aktivizmin e pavarur qytetar në çështje të ndryshme në protestat në Universitetin e Prishtinës. Gjinovci është marrë me gazetari investigative në kuadër të Rrjetit të Gazetarisë Hulumtuese në Ballkan (BIRN).

Në ndryshim nga Birn dega Tiranë (Reporter.al), e cila në pjesën dërrmuese të vet financohet nga Fondacioni Soros dega Tiranë, Birn në Serbi e Prishtinë në pjesën dërrmuese është i financuar nga nga Rockefeller Brothers Fund.

Ndryshe nga shoqëria civile në Tiranë, që në pjesën dërrmuese kontrollohet nga Fondacioni Soros, shoqëria civile në Kosovë është shumë me energjike dhe më eficente.

Përkatësia e Gjinovcit te BIRN, Lëvizja Vetëvendosje apo Soros duhet kuptuar në këto kontraste mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Jo më kot në Shqipëri i gjithë rrjeti i Fondacionit për Shoqërinë e Hapur, Soros, është i nënshtruar ndaj kryeministrit Rama dhe në shërbimin e tij por në Kosovë formula funksionon ndryshe.

/Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *