Policia ka arrestuar 2 drejtues të bashkisë Berat dhe ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për 4 punonjës, pas ngjarjes së rëndë që ndodhi mëngjesin e kaluar, ku një fëmijë 5-vjeçar gjeti vdekjen pasi ra në kontakt me rrymën elektrike ndërsa luante me dekorin e dritave në parkun e qytetit.
Në pranga kanë rënë Poli Ikonomi, 32 vjeç, me detyrë drejtor i shërbimeve në bashkinë e Beratit dhe Llazar Oxholli, 61 vjeç, me detyrë përgjegjës i ndriçimit në zonat urbane, të dy banues në Berat.
Ata akuzohen për “shpërdorim detyre”, bazuar në Nenin 248 të Kodit të Procedurës Penale.
Ndërsa në gjendje të lirë po ndiqen penalisht 4 elektricistët me inicialet F. T., H. I., E. B. dhe M. K.
Ditën e djeshme fëmija 5-vjeç, Aleksandër Brahimi, nga komuniteti rom ndërroi jetë ndërsa luante në park pasi e kishte zënë korenti. Fëmija kishte qenë duke luajtur në tunelin me drita, pjesë e dekorit të bashkisë për festat e fundvitit, kur ka rënë në kontakt me rrymën elektrike të disa telave të zhveshur të tunelit.
Ai u dërgua në spital, por mjekët nuk arritën dot ta shpëtojnë. Familjarët e tij kanë bërë përgjegjëse bashkinë, ndërsa janë ankuar se për komunitetin rom nga ana e pushtetit lokal nuk ka patur asnjë ndihmë.