Shkencëtarët në Rusi kanë kryer testimin e parë jozyrtar të një vaksine kundra Covid-19 – dhe ata thonë se është efektive. Epidemiologët në Moskë morën hapin për ta injektuar vaksinën tek vetja e tyre dhe për të ekzaminuar rezultatet.
RT shkruan se testi është kryer nga punonjësit në Qendrën Kombëtare të Kërkimit për Epidemiologji dhe Mikrobiologji, në Moskë.
Personat që morën pjesë rezultuan të fitonin imunitet ndaj virusit, pa efekte anësore. Sipas drejtorit të qendrës së kërkimit, Alexander Ginzburg, ky është një hap drejt testimeve të sanksionuara nga shteti.
“Ne do ta konsiderojmë të suksesshëm eksperimentin kur të marrim lejen për testime zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë dhe t’i kryejmë ato”- tha Ginzburg, duke folur për agjencinë e lajmeve ruse TASS. Sipas Ginzburgut, shkencëtarët zgjodhën të vetëvaksinohen jo vetëm për të vërtetuar efektivitetin e vaksinës që kishin krijuar, por edhe për të mbrojtur veten nga virusi dhe për të fituar imunitet.
Drejtori nuk specifikoi sa njerëz ishin vaksinuar, por i përshkroi të gjithë si “të gjallë, të shëndetshëm dhe të lumtur”. Ginzburg beson se do të duheshin rreth gjashtë muaj për të imunizuar të gjithë vendin, pasi vaksina të aprovohej zyrtarisht.
Ai thotë se nëse gjithçka shkon sic e kanë planifikuar, kjo do të miratohet deri në fund të verës.
Zëvendëskryeministrja Tatyana Golikova kishte raportuar më parë se 47 vaksina të ndryshme janë duke u zhvilluar në të gjithë Rusinë.