Vendosni fjalën kyçe....

Yuri Kim tjetër mesazh për Reformën në Drejtësi: Të vazhdojë para pa marrë parasysh pengesat


Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka reaguar përsëri lidhur me Reformën në Drejtësi përmes një postimi në Twitter.

Ajo shprehet për komisionerët publikë, që i ka takuar para dy ditës se janë të përkushtuar për të siguruar integritetin e Vetingut: “Komisionerët Publikë më 21 maj. Ata janë të përkushtuar për të siguruar integritetin e vettingut duke apeluar vendime. Le ta mbajmë reformën në drejtësi duke ecur përpara, hap pas hapi!”

Ndërsa lidhur me takimin që pati dje me përfaqësuesit e KPA-së, thotë se bëjnë një punë të vështirë, por Vetingu duhet të ecë përpara.

 “Dhoma e Posaçme e Apelit ka një punë të vështirë, por Vettingu duhet të vazhdojë të tregojë përgjegjshmëri dhe të fitojë besimin e njerëzve. SHBA mbështet Reformën në Drejtësi. Le të vazhdojmë përpara, hap pas hapi, pa marrë parasysh pengesat!”, shkruam Kim.

Një nga çështjet në të cilat ambasadorja amerikane është më e angazhuar është pikërisht Reforma në Drejtësi, e gjatë ditëve të fundit ajo ka mbajtur qëndrime të forta ndaj politikanëve shqiptarë duke ngritur dyshime se po bëjnë marrëveshje të fshehta në kurriz të Reformës në Drejtësi dhe asaj Zgjedhore.

 “Mesazhi im është shumë i qartë, SHBA-të duan atë që dhe populli shqiptar do. Ne duam që Shqipëria të jetë një aleat i fortë i Amerikës, dhe të jetë pjesë e familjes së madhe të BE-së, nuk mund ta keni këtë pa Reformë Zgjedhore dhe pa Reformën në Drejtësi. Kjo nuk mund të bëhet me pazare, ka ardhur koha që t’iu jepni fund lojërave, dhe të bëhet Reforma Zgjedhore dhe ajo në drejtësi, njësoj siç populli shqiptar është duke e pritur”, u shprehej Kim para disa ditëve.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *