Vendosni fjalën kyçe....

Policia jep detaje për plagosjen e të riut në Kavajë

Policia ka dhënë detaje lidhur me plagosjen që ndodhi gjatë natës në Kavajë. Policia thotë se ka vënë në pranga të dyshuarin si dhe ka shpallur në kërkim dy bashkëpunëtorë të tij.

Policia dyshon se autori i plagosjes është 27-vjeçari Viskont Hysi, banues në Kavajë. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës o1:00 të mëngjesit.

Nëna e të plagosurit Mario Xhafa, tha për televizionin “News 24” më herët se i biri kishte dalë në mbrëmje për t’u qethur, por ishte vonuar. Sipas saj i biri nuk ishte shënjestër, por se ai ka kaluar rastësisht.

DETAJET  E POLICISË

Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku mbeti i plagosur me armë zjarri 29- vjeçari M. Xh.

Vihet në pranga autori kryesor i dyshuar për plagosjen e 29-vjeçarit.

Shpallen në kërkim dy bashkëpunëtorët e tij.

Sekuestrohet një antiplumb, dy automjete dhe katër telefona celular.

Policia e Kavajës, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur rreth orës 01:00 të mëngjesit, tek ish-fabrika e letrës, në Kavajë, ku pas një konflikti për motive të dobëta mbeti i plagosur me armë zjarri në këmbë, shtetasi M. Xh., 29 vjeç, i cili u dërgua në spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën, organizoi punën duke ngritur pika kontrolli, krehje të zonës, si dhe u ngrit grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë.

Falë reagimit në kohë, rrethimit të zonës dhe veprimeve të shpejta e profesionale, pas disa minutash u bë e mundur kapja e njërit prej autorëve të dyshuar të plagosjes me armë të 29-vjeçarit.

Në vijim të veprimeve u bë e mundur gjetja e automjetit me të cilin u largua nga vendi i ngjarjes autori kryesor dhe falë administrimit të provave materiale dhe informacioneve të marra në rrugë operative, u bë zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes.

Në përfunim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit V. H., 27 vjeç, banues në Kavajë, i dyshuar si autori kryesor i ngjarjes, kryer në bashkëpunim me shtetasit S. V., 40 vjeç dhe E. C., 35 vjeç.

Të dy këta shtetas u shpallën në kërkim, së bashku me automjetin që janë larguar dhe vijon puna intensive për kapjen e tyre, si dhe për gjetjen e sekuestrimin e automjetit në cilësinë e provës materiale.

Grupi hetimor ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjetin që drejtohej nga shtetasi V. H., brenda të cilit u gjetën një gëzhojë, një antiplumb, 4 aparate celular, si dhe një automjet tjetër në pronësi të shtetasit V. H.

Materialet hetimore në lidhje me këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me paramendim’’ e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *