Kreu i Partisë Demokratike ka zhvilluar ditën e sotme takime me bizneset e vogla në njësin 3 në Tiranë.
Bëhet fjalë për zonën mes Brrylit e Xhamllikut. Sipas Bashës, gjendja ekonomike e tyre është përkeqësuar nga dita në ditë gjë që u pohua edhe nga vetë bizneset.
“Jemi keq. Shumë keq, shumë shumë keq. S’kemi marrë as pagë lufte. Kam paguar të gjitha taksat, siguracionet, të gjitha. Çfarë mund të bëj me një kioskë kaq të vogël që e kaluan me TVSH? Nuk kam marrë asnjë mbështetje. Xhiro është shumë e ulët, 60 -70% ulje.” – tha pronari i një dyqani të vogël.
Ndërsa pronarja e një dyqani veshjes u shpreh se ndihma minimale nuk i mjafton duke detyruar të heqë punonjësin që kishte.
“Mora një mbështetje, e cila nuk më del as për qeranë, 260 mijë lekëshin. Kisha punëtoren, detyrova ta heq sepse nuk e përballoj dot. Tani jam vetëm unë, nga mëngjesi deri në darkë. Do të shikoni vetë gjithë rrugës sesa e trishtë është situata, kanë mbyllur qepenin.” – tha pronarja e një dyqani veshjesh.
Basha tha gjatë bisedës me tregtarët se vendi duhet t’i kthehet një orë e më parë normalitetit. Ai shtoi se qeveria e ka mendjen të zhvasë e të grabisë çdo gjë. Kryedemokrati u bëri thirrje bizneseve që të rezistojnë dhe së bashku të bëjnë ndryshimin.
“Mbahuni se kemi kaluar shumë të këqija, por ky e ka mendjen vetëm të zhvasë dhe të marrë, por gjërat do t’i ndryshojmë, nuk do t’i lëmë kështu në mëshirë të fatit.” – tha ndër të tjera Basha.