Kreu i shtetit, Ilir Meta, ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me situatën politike në vend e cila ditët e fundit është e tensionuar.
Meta tha se “Rama kërkon të destabilizojë vendin në interes të lobit pro-serb në Uashington”.
Sipas Metës, kjo lidhet edhe me ngjarjet e fundit, si edhe shembjen e Teatrit, si provokim edhe ndaj opozitës.
“Nuk kishte kohë për të pritur të dilnim nga pandemia sepse kemi të bëjmë me një skenar për trazira dhe përplasje në Shqipëri dhe kjo ka në sfond edhe zhvillimet rajonale. Për arsye të brendshme që të provokojë opozitën, të ikë nga çështja e Kodit, të harrojë 15 kushtet e BE-së. Ka marrë një porosit të destabilizojë, të nxehë situatën në Shqipëri. Lobit shumë të fuqizuar pro serb në Uashington siç i interesonte edhe vjet përplasja për zgjedhjet lokale.
Edhe vjet aty ishte qëllimi, të ketë përplasje dhe gjakderdhje dhe opozita e Lulit dhe Monës të shpallej organizatë terroriste. Kam shumë prova dhe dokumente që do i bëj publike në kohën e duhur. SMS që u bë publike sot do duket pa vlerë në raport me to. Do flas në të ardhmen dhe në kohën e duhur. Mund të ketë ndonjë zhvillim interesant në Kosovë në periudhën në vijim“-tha Meta.