Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi në emisionin “Pressing” në T7, se nëse Lidhja Demokratike e Kosovës, o i jepte mandatin për të krijuar qeverinë do i drejtohej Vetëvendosjes sërish për të krijuar koalicion.
“Sikur të më thuhej mere mandatin dhe bëj 61 vota, do ta merrja dhe do ta bëja 61-shin duke ju drejtuar Vetëvendosjes, ku besoj se do të arriheshin numrat. Por, asnjë moment nuk është arritur një gjë e tillë”, është shprehur Osmani.
Tutje, ajo tha se nuk e di nëse VV-ja është e gatshme për një koalicion të tillë, por kjo tentativë do të bëhej, sipas saj, që të ruhej vullneti i 6 tetorit.
“Kjo është hipotezë sikur të lejohej partia e dytë të krijonte qeverinë. Nuk e di çfarë do të thoshte Lëvizja Vetëvendosje, unë e di çka diskutoj me ta çdo ditë por jo çka do të thoshin ata. Ideja është të tentonim ta shpëtonim vullnetin e 6 tetorit”- tha Osmani.