Vendosni fjalën kyçe....

AMT-ja paralajmëron protestë masive në Tiranë, 5 kërkesat që parashtron


Aleanca për Mbrojten e Teatrit ka paralajmëruar një protestë të madhe qytetarë në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.

Në një deklaratë për mediat aleanca thekson se ka nisur turin e takimeve qytet më qytet për të kulmuar me protestën në Tiranë ku do parashtrohen 5 kërkesa.

Ato janë pezullimi i çdo aktiviteti në truallin e teatrove të prishur, hetim ndërkombëtar për çështjen e teatrit, rindërtimi i teatrit ku ishte e siç ishte, largimi i kryebashkiakut Veliaj e i Këshillit Bashkiak e largimi i qeverisë.

Aleanca thekson se mbetet lëvizje qytetare e jo partiake e hapur për të gjithë qytetarët e çdo krahu politik.

Deklarata

Ka kaluar më shumë se një javë nga shembja barbare e godinës së Teatrit Kombëtar nga qeveria shqiptare me një sulm terrorist ku forcat speciale dhe policia e shtetit u përdorën për të nxjerrë artistët dhe qytetarët me dhunë nga shtëpia e tyre. Përgjatë kësaj jave mediat më të mëdha botërore kanë pasqyruar ngjarjen dhe protestat e artistëve dhe qytetarëve po vijojnë në të gjitha qarqet për të çuar në një protestë të madhe në bulevardin Dëshmorët e Kombit ku do të kërkohet:

  1. Pezullimi i çdo lloj aktiviteti në truallin e kompleksit të Teatrove Kombëtare.
  2. Hetim Kombëtar dhe Ndërkombëtar i çështjes së Teatrit Kombëtar dhe vrasjes së mbetur në tentativë, shembjes së tij që nisi kur shumë artistë e qytetarë ishin ende brenda në ndërtesë dhe dhunës së ushtruar mbi të ndaluarit si gjatë operacionit policor të zhvilluar në kushtet e ndalimqarkullimit për shkak të pandemisë ashtu edhe gjatë protestave të zhvilluara më vonë gjatë ditës më 17 maj 2020.
  3. Rindërtimi i kompleksit të Teatrit Kombëtar ashtu siç ishte aty ku ishte, jo vetëm si tempull i kulturës dhe trashëgimisë, por në këta dy vjet e tre muaj edhe si tempull i institucionit të protestës, lirisë, demokracisë dhe qytetarisë.
  4. Largimi i menjëhershëm nga detyra i Kryetarit të Bashkisë dhe pjesëtarëve të Këshillit Bashkiak si personat që i dhanë fund me vullnet të plotë Teatrit Kombëtar duke shkelur çdo ligj, ndërkohë që mundësinë e kishin të prisnin dhe mos ta zbatonin VKM-në pasi ajo u çua për shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese nga Presidenti i Republikës.
  5. Ne e pamë sesi pushteti e shembi Teatrin. Ne e pamë sesi Teatri i vjetër e shembi drejtësinë e re. Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë e të tjera organe të drejtësisë nuk funksionojnë. Duke e provuar me viktimën e parë të drejtësisë së munguar, Teatrin Kombëtar, që kushtetuta shkelet nga një parlament ilegjitim dhe qeveri kriminale qendrore dhe lokale, si dhe duke qenë se ne po zgjojmë përfaqësimin qytetar në vendimarrje, ne kërkojmë drejtësi, demokraci, dhe kjo arrihet me rrëzimin e kësaj qeverie për t’i hapur rrugë njëherë e mirë një epoke të re për Shqipërinë, e cila do të futet në Europë përmes Artit, Kulturës dhe Trashëgimisë.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit do të mbetet një lëvizje kulturore-qytetare jo partiake e hapur për qytetarët nga i gjithë spektri politik dhe si e tillë do të nxisë vlerat më të mira të qytetarisë duke protestuar kundër kësaj qeverie tashmë antikulturë, të dhunshme e diktatoriale.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit

26 Maj 2020

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *