Një nga ministrant britanik ka dhënë dorëheqjen për shkak të disa veprimeve të këshilltarit të kryeministrit Boris Johnson.
Siç shkruan BBC, Douglas Ross, u tërhoq nga detyra si ministër i Zyrës së Skocisë, për shkak të çështjes së Dominic Cummings.
Në një deklaratë, Ross, i cili mbetet deputet tha: “Ndërsa qëllimet mund të kenë qenë të mira, reagimi ndaj këtij lajmi tregon se interpretimi i z.Cummings nuk ndahet nga shumica dërrmuese e njerëzve që kanë vepruar ashtu siç u ka kërkuar qeveria.
Në elektoratin tim ka njerëz që nuk mundën tu thonin lamtumirë të dashurve të tyre, familje që nuk mund të mbanin zi së bashku, njerëz që nuk i vizituan të afërmit e sëmurë sepse ata ndiqnin udhëzimet e qeverisë. Nuk mund t’i them me mirëbesim atyre se ata ishin gabim dhe një këshilltar i lartë i qeverisë kishte të drejtë.”
Këshilltari kryesor i kryeministrit, Dominic Cummings, shkeli rregullat e bllokimit të vendosura për shkak të pandemisë së Covid-19 dhe udhëtoi 260 milje me familjen e tij për të qenë pranë të afërmve, kur gruaja e tij nisi të shfaqte simptoma të sëmundjes së Covid-19.
E pavarësisht kritikave, ai nuk ka pranuar të heqë dorë nga detyra duke thënë se ka bërë gjënë e duhur, duke u kujdesur për familjen.