Vendosni fjalën kyçe....

Agron Duka: Basha s’ka vullnet për të ndryshuar sistemin, e ka mbyllur marrëveshjen me PS-në


Një nga aleatët e Lulzim Bashës, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka ka dalë hapur kundër liderit të opozitës, lidhur me Reformën Zgjedhore.

Gjatë një interviste për emisionin ‘Repolitix’, Duka tha se pavarësisht presionit që ka nga aleatët apo shoqëria civile, kryedemokrati duket sikur nuk ka vullnet për të ndryshuar sistemin duke bërë marrëveshje me Ramën.

Madje ai shprehet se Reforma Zgjedhore do të jetë thjeshtë një arnim dhe se jo vetëm PS-PD, por edhe LSI e kanë mbyllur marrëveshjen me kohë.

“Duket sikur ka një dakordësi ndërmjet dy partive të mëdhaja për ta mbyllur këtë Reformë Zgjedhore Brenda afatit. Sipas meje, nuk do kishte gjë të keqe nëse do shtyhej afati pas 31 majit, po sipas mendimit tim, mund të mos jem në të njëjtën linjë me PD-në, reforma do ishte e plotë nëse do ishte me kirurgji, që të bëhej e plotë me sistemin.

Përderisa i kanë shkelur syrin njëri tjetrin, duke filluar nga Rama dhe gjithë të tjerët që mbrojnë sistemin, e PD-ja që thotë që është i hapur për ndërrim sistemi, por duan që fillimisht të rregullojnë Kodin Zgjedhor. Nuk jam specialist, por duket sikur po arnojmë, por që të bëhet realisht ashtu siç duhet për shqiptarët, do ishte shumë mirë që të dëgjoheshin zërat e qytetarëve që të kalonte në sistemin ku qytetarët të zgjidhnin atë që donin.

Basha ka thënë shpesh herë, ndoshta dhe nga presioni i aleatëve, ka thënë se është i hapur për çdo lloj sistemi, por duket që nuk ka asnjë vullnet nga dy partitë e mëdha, dhe nga LSI, por s’më ndalon njeri që të them mendimin tim, kjo mund të jetë një kosto për mua. Nuk jemi në të njëjtën linjë me Bashën. Asnjëherë Basha nuk na ka kundërshtuar në mënyrë kategorike, por duket se ka një dakordësi mes tyre, do i rregullojnë disa gjëra që këtyre u duket se ndikojnë në zgjedhje, por thonë se me sistemin s’do merremi se s’kemi kohë, Kjo më duket gjëja më e flliqtë për shqiptarët. Kanë kaluar 2 mandate, dhe prapë s’kanë gjetur. Nuk e ndryshojnë se duan të ruajnë monopolin e kandidatëve, E kanë mbyllur këtë punë pavarësisht propozimit të Ambasadës Amerikane, u mbyllen dyert të rinjve në politikë”, u shpreh Duka.

Përveç shembjes së Teatrit Kombëtar, kryefjalë e këtyre ditëve ka qenë edhe Reforma Zgjedhore. Ditën e djeshme pas takimit me ambasadoren amerikane Yuri Kim, Lulzim Basha tha se zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme është prioritet absolut i opozitës së bashkuar.

Ai shtoi se opozita është e vendosur për ta përmbyllur reformën zgjedhore brenda 31 majit dhe se zgjedhjet e lira e të ndershme i hapin rrugën integrimit europian të vendit.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *