Tre persona janë arrestuar në Durrës, pasi dyshohen se klononin banka karte.
Të arrestuarit janë personat me iniciale B. G., 43 vjeçe, S. G., 24 vjeçe dhe M. B., 31 vjeç. Ata akuzohen se kanë përfituar shumën 84 mijë euro përmes kësaj forme si dhe mendohet se kanë mashtruar shtetas të huaj që kryenin rezervime në hotele për turizëm.
DETAJET E POLICISË
Finalizohet operacioni policor i koduar “BOOKING”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e mashtrimit kompjuterik.
Operacioni nga Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.
Klononin karta bankare, kryesisht të shtetasve të huaj, duke përfituar shumën 84 mijë euro, evidentohen dhe vihen në pranga 3 shtetas.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve kompjuterike, Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Drejtorinë për Krimet Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, zhvilloi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “BOOKING”.
Pas një hetimi disamujor u siguruan prova bindëse për veprimtarinë kriminale të 3 shtetasve, për të cilët Prokuroria urdhëroi ndalimin e tyre, konkretisht:
- G., 43 vjeçe, S. G., 24 vjeçe dhe M. B., 31 vjeç, banues në Durrës.
Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë përfituar shumën 84.000 euro, nëpërmjet kartave të klonuara, duke mashtruar shtetas të huaj që kryenin rezervime në hotele për turizëm.
Materialet procedurale në ngarkim të këtyre shtetasve, do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.