Prokuroria e Përgjithshme ka dalë me një deklaratë pas propozimit për ndryshime në ligjin e Policisë së Shtetit nga ana e ministrit të Brendshëm, Lleshaj.
Në reagim theksohet se përgjimet nuk mund të kryhen pa miratimin e prokurorisë pasi kjo është shkelje.
Gjithashtu vërehet se ngritja e komitetit të propozuar anti-Krim nën varësinë e ministrit të Brendshëm, pjesë e së cilës do jenë edhe Kryeprokurori dhe Kreu i SPAK-ut, është veprim antikushtetues.
Përveç Prokurorisë së Përgjithshme, propozimi i Lleshajt është kundërshtuar edhe nga SPAK-u. Ky i fundit thekson se përgjimet ambjentale mund të bëhen vetëm me autorizim nga prokurori dhe se materialet e marrë në formë tjetër nuk kanë vlerë ligjore.
Reagimi i Prokurorisë së Përgjithshme
- Neni 4 i projektligjit, i cili ndryshon në tërësi nenin 131 ‘Masat e veçanta’ të ligjit nr.108/2014 në fuqi, konstatojmë se riformulimi i nenit 131 të ndryshuar është i paqartë, dhe në relacionin shoqërues të projektligjit, -nuk ka një shpjegim për arsyet e ndryshimeve të nenit 131 në fuqi, -nuk ka një arsyetim/justifikim për uljen e nivelit të garancive mbi respektimin e të drejtave dhe lirive të individëve, -nuk është parashikuar një mekanizëm kontrollues mbi veprimtarinë e policisë në zbatimin e këtyre masave, dhe -nuk ka ndonjë referencë ligjore të ndonjë modeli apo standarteve europiane në fushën e zbatimit të këtyre masave të veçanta nga policia.
-Për këto arsye, mendojmë dhe sugjerojmë rivlerësimin për rishikimin në tërësi të nenit 131 të ndryshuar me nenin 4 të projektligjit, duke nënvizuar disa mendime/sugjerime për ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë:
5.1 Pika 1 e nenit 131 të ndryshuar konstatojmë se, krahas termit ‘procedim policor’ të propozuar për t’u shtuar me nenin 1 të projektligjit, përfshin dhe termin ‘veprimtari informative-gjurmuese’ e cila nuk është në përqasje me kuptimin e termave të parashikuar në nenit 6 në fuqi të ligjit nr.108/2014, si dhe është hequr urdhërimi ligjor ‘…kërkon autorizimin nga prokurori për të marrë masat e veçanta…’, ndryshime dhe riformulime që e bëjnë të paqartë pjesën hyrëse të pikës 1 të këtij neni.
- i) Për më tepër, në relacionin shoqërues të projektligjit nuk është bërë asnjë sqarim se, -cili është kuptimi i termit ‘veprimtari informative-gjurmuese’?! -cili është dallimi i tij me termin ‘veprimtari gjurmuese’ që parashikon pika 28 e nenit 6 të fuqi!, dhe -cilat janë arsyet e heqjes së kërkesës për t’u autorizuar nga prokurori marrja e masave të veçanta?!, mungesa e të cilave ka krijuar paqartësi që çmojmë se janë të nevojshme pët t’u sqaruar në kuadrin e transparencës në procedurën e hartimit dhe diskutimit të këtij projektligji, veçanërisht për ndjeshmërinë publike që kanë ‘masat e veçanta’ në kompetencë të policisë së shtetit që parashikon ky nen i projektligjit.
-Për arsyet mësipër, sugjerojmë vlerësimin dhe rishikimin e formulimit të pikës 1 të nenit 131 ‘Masat e veçanta’, i ndryshuar me nenin 4 të projektligjit.
- ii) Në vijim të komenteve dhe sugjerimeve për mosmiratimin e nenit 1 të projektligjit që shton pikën 29/1 me kuptim të mbivendosur të termit[1] ‘procedim policor’ ku është përfshirë dhe ‘veprimtaria hetimore në kuadrin e hetimit penal’, çmojmë se pika 1 dhe pika 3 e nenit 131 të riformuluar, evidenton qëllimin e heshtur të përfshirjes së ‘procedimit policor’ për përdorimin e masave të veçanta në afatet e parashikuara në nenin 131 edhe në veprimtarinë hetimore në kuadrin e procedimit/hetimit penal, që përbëjnë shkelje flagrante të Kodit të Procedurës Penale në dispozitat e referuara në pikën 2 mësipër, me pasoja pavlefshmërinë dhe papërdorshmërinë[2] e akteve të përftuara prej tyre.
-Për arsyet më sipër, krahas sugjerimit më sipër për vlerësimin dhe rishikimin e formulimit të pikës 1 të nenit 131, sugjerojmë që të hiqet togfjalëshi ‘ose të një procedimi policor’- nëse ky termë i pikës 29/1 të shtuar me nenin 1 nuk riformulohet sipas sugjerimit në pikën 2 më sipër -, si dhe pas fjalës ‘…autorëve…’ të shtohet fjala ‘…të dyshuar…’.
5.2 Në pikën 1 të nenit 131 të ndryshuar me nenin 4 të projektligjit, konstatojmë se krahas parashikimeve në dy paragrafin ‘a’ të nenit 131 të riformuluar, siç është: ‘a) Përgjimin ambjental të bisedave të personave në ambjente publike, si dhe në mjete të transportit publik’, përfshihet dhe paragrafi ‘b’ i riformuluar/plotësuar që parashikon, ‘b) Përdorimin e pajisjeve teknike për fotografimin, filmimin ose me video të personave në vende publike dhe përdorimin e pajisjeve gjurmuese të vendndodhjes’, të cilat në përmbajtje janë huazuar nga neni 221 pika 2 e K.Pr.Penale, i cili kufizon përdorimin e tyre për vepra të kryera me dashje që parashikojnë dënim me burgim jo më pak në maksimum se tre vjet, është shtuar dhe shkronja ‘ç) Mbikëqyrja e fshehtë e personave të dyshuar për kryerjen e veprave kriminale’, forme e paqartë mbikëqyrje ndaj një personi të dyshuar, që vlerësojmë se në vartësi të nivelit të dyshimit mund të kryhet në përputhje me parashikimet e neneve 221 pika 2 dhe 222 pika 8 e K.Pr.Penale në kuadrin e procedimit penal për vlefshmërinë si provë që kanë rezultatet e përftuara nga kryerja e tyre.
5.3 Pika 2 e nenit 131 që ka ndryshuar/riformuluar nenin 131 ‘Masat e veçanta’ në fuqi, që autorizon titullarët e strukturave të policisë në nivel drejtorie, qëndrore e vendore për të vendosur përdorimin e masave të veçanta të parashikuara në shkronjat ‘a’, ‘b’ e ‘ç’, pa u normuar mbikëqyrja nga një institucion/subjekt kushtetues i pavarur, për të garantuar parimin e ligjshmërisë dhe respektimin e të drejtave dhe liritë themelore të njeriut në këtë proces, bie ndesh me parimet kushtetuese dhe ato të parashikuara në nenin 5, ‘Parimet e veprimtarisë’ të ligjit 108/2014 në fuqi.
-Për këto arsye, pikat 2 e nenit 131 të ndryshuar me nenin 4 të projektligjit, vlerësojmë të rivlerësohet dhe riformulohet duke parashikuar një mekanizëm kontrollues mbi veprimtarinë e policisë në zbatimin e këtyre masave të veçanta, me sugjerimin për të parashikuar se autorizimi për përdorimin e masave të veçanta të miratohet nga prokurori mbi kërkesën e titullarit të strukturës policore përkatëse, nisur dhe nga fakti se ndryshimet në ligji nr.9157/2003 ‘Për përgjimet parandaluese’ kanë rritur nivelin e kontrollit të veprimtarisë në zbatimin e tij tek drejtuesi i Gjykatës së Posaçme të Apelit.
5.4 Në pikën 3 të 131 të ndryshuar të nenit 4 të projektligjit mendojmë dhe sugjerojmë të bëhen ndryshimet si më poshtë:
-Në pikën 3 të nenit 131, afati i përdorimit të masave të veçanta sugjerojmë se duhet të parashikohet vetëm për shkronjat ‘a’,’b’ dhe ‘ç’ të pikës 1 të këtij neni, duke hequr afatet për përdorimin e masës së veçantë që parashikon shkronja ‘c’ të cilët janë të përcaktuara në nenin 14 ‘Kohëzgjatja e vendimit të përgjimit’ të ligjit nr.9157/2003 ‘Për përgjimet parandaluese’ i ndryshuar me ligjin 69/2017.
-Në pikën 3, gjithashtu, për arsyet e parashikuara në pikën 2 dhe nënparagrafin ‘ii)’ të pikës ‘5.1’ më sipër sugjerojmë të hiqet togfjalëshi ‘ose gjatë procedimit policor’, nëse ky term i pikës 29/1 të shtuar me nenin 1 të projektligjit nuk riformulohet sipas sugjerimit në pikën 2 më sipër.