Policia ka gjobitur 36 drejtues biçikletash në 24 orët e fundit.
Sipas njoftimit ata janë ndëshkuar pasi në vend që të lëvizin në korsitë e dedikuara për biçikletat kanë ecur në korsitë e makinave apo ato të mjeteve të shërbimit publik.
Gjobë kanë marrë edhe qytetarët që nuk kanë respektuar semaforin, që nuk e marrë biçikletën për dore etj.
Njoftimi
Pedalo biçikletën në pistat e rezervuara për to, respekto rregullat, për sigurinë tende dhe të tjerëve në rrugë.
Duke konsideruar rritjen e ndjeshme të përdoruesve të biçikletave në kryeqytet dhe faktin që në disa ngjarje rrugore janë përfshirë shumë drejtues biçikletash, rrugorët e kryeqytetit, prej disa ditësh kanë analizuar me kujdes mekanizmat e ngjarjeve rrugore dhe shkaqet e tyre.
Me qëllim disiplinimin e lëvizjes së drejtueseve të biçikletave sipas dispozitave të parashikuara në nenin 180 të Kodit Rrugor shqiptar, por edhe parandalimin e ngjarjeve të rënda që vijnë edhe si pasojë e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e biçikletave, janë monitoruar dhe organizuar kontrolle në disa prej rrugëve kryesore të kryeqytetit, të cilat edhe pse tashmë janë të pajisura me pista të rezervuara për biçikletat, shumë drejtues biçikletash preferojnë të qarkullojnë në korsitë e lëvizjes së automjeteve apo në korsitë e shërbimit publik, duke u kthyer në një rrezik permanent për veten dhe përdoruesit e rrugës në tërësi.
Krahas monitorimit dhe këshillave ndaj kësaj kategorie, për kujdes të shtuar gjatë përdorimit të rrugës, nuk kanë munguar edhe masat administrative për ata që nuk përdorin pistat e rezervuara, nuk respektojnë sinjalizimin e ndritshëm semaforik, nuk marrin biçikletën për dore dhe si pasojë e kushteve të qarkullimit, bëhen pengesë ose rrezik për këmbësorët.
Vetëm përgjatë 24 orëve të fundit janë konstatuar dhe ndëshkuar 36 drejtues biçikletash.