Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha se kishte certifikuar të mërkurën në Kongres se në bazë të ligjit të SHBA, Hong Kongu nuk e justifikon më trajtimin special në të njëjtën mënyrë që zbatohej kur territori ishte ende nën Britaninë, përpara korrikut 1997.
Në një deklaratë, zoti Pompeo tha se plani i Kinës për të imponuar një legjislacion të ri të sigurisë kombëtare në Hong Kong ishte “thjesht një hap i ri në një seri hapash që dëmtojnë thelbësisht autonominë dhe liritë e Hong Kongut”.
“Asnjë njeri i arsyeshëm nuk mund të pohojë sot se Hong Kongu ruan një shkallë të lartë autonomie nga Kina, duke pasur parasysh faktet në terren”, tha ai.
“Pas studimit të kujdesshëm të zhvillimeve gjatë periudhës që po raportohet, unë i certifikova sot Kongresit se Hong Kongu nuk vazhdon ta justifikojë trajtimin sipas ligjeve të Shteteve të Bashkuara në të njëjtën mënyrë siç zbatoheshin ligjet amerikane ndaj Hong Kongut para korrikut 1997,” tha Sekretari Pompeo.
“Tani është e qartë se Kina po e modelon Hong Kongun sipas vetes së saj,” shtoi ai.
“Akti i të drejtave të njeriut dhe demokracinë në Hong Kong” i miratuar vitin e kaluar nga Kongresi i SHBA dhe Presidenti Donald Trump, i kërkon Departamentit të Shtetit të certifikojë të paktën çdo vit se ish-kolonia britanike ruan një autonomi të mjaftueshme për të justifikuar trajtimin e favorshëm tregtar nga SHBA, diçka që e ka ndihmuar Hong Kongun të ruajë pozitën si një qendër financiare botërore.
Në bazë të këtij akti, zyrtarët përgjegjës për shkeljet e të drejtave të njeriut në Hong Kong mund të jenë objekt sanksionesh, përfshirë mohimin e vizave dhe ngrirjen e pasurive.
Tani i takon Presidentit Trump të vendosë nëse do t’u japë fund disave, të gjithave ose asnjërit prej privilegjeve ekonomike që gëzon aktualisht Hong Kongu.
Presidenti tha të martën se Shtetet e Bashkuara po punojnë për një reagim të fortë ndaj legjislacionit kinez për sigurinë kombëtare në Hong Kong, reagim që pritet të shpallet para fundit të kësaj jave.