Vendosni fjalën kyçe....

BSH miraton masat që mundësojnë shtyrjen e kësteve të kredisë edhe për 3 muaj


Në muajin mars dhe prill të këtij viti, në kuadër të gjendjes së rënduar për vendin, ekonominë shqiptare dhe në veçanti për sistemin bankar dhe institucionet e tjera financiare, si rrjedhojë e situatës pandemike COVID -19, Banka e Shqipërisë, ndërmori disa masa dhe ndryshime rregullative për bankat, por jo vetëm, me qëllim kryesisht sigurimin e zgjidhjes së kërkesave të klientëve për periudha të përkohshme shtyrjeje, dhe njëkohësisht sigurimin e shëndetit të bankave dhe sistemit në tërësi.

Në kushtet kur akoma vazhdojnë të evidentohen vështirësi për kredimarrësit dhe bankat, si pasojë e kësaj situate, si dhe me qëllim zgjidhjen e shqetësimeve të ngritura nga biznesi dhe nga Shoqata Shqiptare e Bankave, autoriteti mbikëqyrës, duke analizuar dhe konsideruar propozimet dhe kërkesat e parashtruara nga bankat, si dhe bazuar në eksperiencat më të mira të vendeve të tjera dhe udhëzimeve të Autoritetit Evropian Mbikëqyrës (EBA) për këtë qëllim, miratoi disa ndryshime në rregullat për administrimin e rrezikut të kredisë nga bankat, të cilat synojnë lehtësimin për bankat, kryesisht nëpërmjet:

  1. Pezullimit të përkohshëm të zbatimit të detyrimit që rrjedh nga kërkesat për administrimin e rrezikut të kredisë, për klasifikimin dhe provigjionimin e kredive për të gjitha kategoritë e klientëve, edhe për një periudhë tjetër, nga data 1 qershor deri në 31 gusht 2020, për arsye të vështirësive financiare dhe rënies së aftësisë paguese të huamarrësve, ndikuar nga situata e krijuar;
  2. pezullimit të përkohshëm të krijimit të fondeve rezervë për pasuritë e paluajtshme të përftuara kundrejt shlyerjes së kredive deri në muajin dhjetor 2020;
  3. dispozitë lehtësuese për kreditë e ristrukturuara, sipas së cilës bankave u jepet mundësi të ristrukturojnë marrëdhëniet aktuale të kredive me qëllim gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme në varësi të aftësisë paguese të kredimarrësve deri më 31 dhjetor 2020 pa kosto shtesë të provigjoneve dhe pa përkeqësim të statusit të huamarrësve;
  4. shtyrjen me 1 vit të hyrjes në fuqi të kërkesave më të shtrënguara për klasifikimin dhe provigjionimin e kredive të ristrukturuara, për në muajin janar 2022. Nëpërmjet kësaj mase bankat do të mund të përdorin edhe gjatë vitit 2021 të njëjtat kritere për klasifikimin dhe provigjionimin e kredive të ristrukturuara si ato përpara situatës së pandemisë; dhe
  5. shtyrjen me 1 vit të efekteve të rregullores “Për trajtimin jashtëgjyqësor nga bankat, të kredimarrësve në vështirësi financiare” deri në muajin janar 2022.

Në këtë mënyrë, bankat do të kenë një hapësirë më të madhe kohore të gjejnë një zgjidhje të përshtatshme për huamarrësit e përbashkët në vështirësi financiare.

Ndërkohë, kredimarrësit, aftësia paguese e të cilëve nuk preket apo dëmtohet nga kjo situatë duhet të vijojnë normalisht shlyerjen e detyrimeve të tyre me bankat.

Në përfundim, Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave, dëshirojnë të sigurojnë të gjithë publikun shqiptar se mbeten te angazhuara maksimalisht për të ofruar të gjithë mbështetjen e nevojshme, në kapërcimin e kësaj situate të vështirë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *