Gjyqi ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri po kthehet në një telenovelë me shumë seri. Gjyqi i caktuar për sot është shtyrë përsëri dhe shkak është mos njoftimi siç duhet i Tahirit.
Seanca e radhës pritet të zhvillohet në datën 11 qershor.
Avokati i Tahirit, Maks Haxhia tha për gazetarët se klienti i tij që prej nisjes së procesit ka kërkuar pafajësi.
“Nuk kanë shkaqe ligjore që të largohen. Jemi konsistent në qëndrimin tonë, ne kërkojmë pafajësi, nuk duam të hyjmë në procedurë. Saimir Tahiri që nga momenti i parë që është vënë përballë vendimit të akuzës dhe deri në kalimin e çështjes në Apel ka kërkuar pandërprerë pafajësi”, tha Haxhia.
Kujtojmë që gjyqi për Tahirin është shtyrë edhe më par disa herë për shkak të situatës së krijuar në vend lidhur me pandeminë.
Kujtojmë se ish-ministri Saimir Tahiri fitoi pafajësinë në shkallë të parë për akuzën e trafikut të drogës e grupit kriminal, ndërsa u dënua me shërbim prove për akuzën tjetër për shpërdorim detyre. Por prokuroria apeloi këtë vendim duke kërkuar dënimin e tij, ndërsa vetë Tahiri gjithashtu apeloi vendimin për të kërkuar pafajësinë edhe për akuzën për shpërdorim detyre.