Interpelanca urgjente është thirrur nga një grup deputetësh të opozitës parlamentare, që kërkojnë nga kryeministri të japë llogari lidhur me çështjen.
Që nga shembja e Teatrit kanë kaluar 11 ditë por vazhdon të mbetet tema kryesore në politikë.
Në seancën e kaluar deputeti Ralf Gjoni reagoi mjaft ashpër ndaj maxhorancës, e madje që në fillim të seancës kërkoi ndërprerjen e saj dhe ngritjen e një Komisioni Hetimor. Por pasi kjo nuk ndodhi, gjatë fjalës së tij në foltore ai nxori nga xhepi disa lëpirëse, gjest që i kushtoi përjashtimin me 10 ditë nga Byroja e Kuvendit.
Në rendin e ditës për sot është dhe akti normativ për disa ndryshime në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, sipas të cilit tatimpaguesit me qarkullim vjetor mbi 14 milionë lekë përveç farmacive, bankave, kompanive të telekomunikacionit dhe bizneseve ushqimore, të shtyhet pagesa e këstit të tatimit mbi fitimin për tremujorin e dytë dhe të tretë për vitin 2020, dhe pagimi i kësteve do të vazhdojë në muajin tetor 2020, ndërsa të papaguarat paguhen në vitin 2021.
Në seancën plenare do të jetë gjithashtu për diskutim edhe miratimi i aktit normativ për shtyrjen e fazës së parë të përgatitjes së programit buxhetor afatmesëm për shkak të pandemisë COVID-19.
Po ashtu deputetët pritet të miratojnë edhe projektligjin për marrjen e hua-së nga FMN në vlerën e 139.3 milionë SDR, ose rreth 174 milionë euro.