Spanja nuk do ta ndalojë përdorimin e ilaçit të hidroksilklorinës, pavarësisht këshillave të OBSH-së.
Mbikqyrësi shëndetësor spanjoll ka thënë se nuk sheh asnjë arsye për të ndaluar përdorimin e hidroksilklorinës (HCQ), ilaçi i cili po përdoret për të trajtuar sëmundjen e COVID-19 dhe që sugjerohet fort nga presidenti Donald Trump. Por që sipas OBSH-së, përdorimi i këtij ilaçi është i rrezikshëm për pacientët me koronavirus.
Disa kombe europiane, përfshirë Francën, Italinë dhe Belgjikën, kanë vendosur të pezullojnë recetën e ilaçit të përdorur kundër malarjes.
Mbikqyrësi shëndetësor spanjoll, AEMPS, tha që punimi i botuar nga revista Lancet, i cili paralajmëron për rreziqet shëndetësore të lidhura me këtë ilaç, nuk është aq bindës.
“Është një studim vëzhgues, jo një provë klinike”– shpjegoi një zëdhënës për AEMPS.
Hidroksilklorina është përdorur gjerësisht në Spanjë te pacientët me Covid-19, një nga vendet e goditura më keq nga kroonavirusi në Europë. Sipas El Pais, 85% e pacientëve të dërguar në spital me koronavirus janë trajtuar me këtë ilaç.
Studimi i publikuar në revistën Lancet zbuloi një shkallë më të lartë të vdekshmërisë në mesin e pacientëve që ishin trajtuar me këtë ilaç. Për këtë arsye, Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) vendosi të ndalojë testimet klinike të këtij ilaçi për trajtimin e koronavirusit.