Vendosni fjalën kyçe....

Ardi Veliu nuhat shkarkimin nga posti, kërkon ndjesë publike


Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka kërkuar ndjesë lidhur me videon e publikuar prej tij ditën e sotme.

Në një reagim të gjatë në Facebook, kreu i policisë, i cili nuhat shkarkimin nga posti që mban prej disa vitesh, ka sqaruar situatën e krijuar pas publikimit të videos.

Ai shkruan se është vënë personalisht në shënjestër dhe se i vjen keq për deformimin që po i bëhet realitetit të ngjarjes dhe qasjes së tij ndaj saj.

“Jam i keqardhur që Policia e Shtetit bëhet rregullisht shënjestra e atyre që kurrë nuk e thanë një fjalë motivuese për të dhe sot përsëri e njëjta gjë. Ndërkohë që ne jemi organizata më rigoroze në goditjen e fenomeneve brenda vetes, mjafton që një punonjës i yni të bëjë një gabim dhe megjithëse ndëshkohet në radhë të parë prej nesh, prapëseprapë goditja vijon ndaj Policisë së Shtetit. Sot unë jam vënë personalisht në shënjestër dhe më vjen keq për deformimin që po i bëhet realitetit të ngjarjes për të cilën fola dhe vetë qasjes sime ndaj saj.”­ – shkruan Veliu.

Më tej ai shkruan se fjala e tij është nxjerrë nga konteksti dhe se ka bërë një ilustrim të idesë se nuk mund të fajësohet vetëm punonjësi i policisë për ngjarjen duke shtuar se ai është pezulluar.

“Së pari, fjala ime nuk mund të nxirret nga konteksti, siç po bëhet.

Së dyti, kam bërë një ilustrim të idesë se nuk mundet të fajësohet gjithnjë vetëm punonjësi i Policisë duke u kapur pas një fotoje të rastit, pa konsideruar tërë kontekstin e një situate.

Së treti, kam sqaruar se punonjësi në fjalë është pezulluar dhe ka nisur hetimi disiplinor dhe penal për të.

Së katërti, unë po komunikoja hapur me deputetët, një shqetësim që është i mbarë punonjësve tanë, për demonizimin që i bëhet figurës së Policit të Shtetit dhe nuk doja të thosha më shumë se kaq.” – sqaron ai.

Në fund Veliu kërkon ndjesë  për keqkuptimin e komentit të tij.

“Por në fund dëshiroj t’u them të gjithë atyre që po e gjykojnë me ngut këtë “krim” të radhës, se nëse nuk kam arritur dot ta sqaroj si duhet atë ç’ka kisha qëllim, kjo nuk mjafton për të më gjykuar me qëllim. Këtë detyrë e kam mbajtur dhe do ta mbaj deri në fund me nder dhe puna ka folur e do të flasë për mua dhe Policinë e Shtetit më mirë se sa fjalët tona. Ndjesë nëse kam krijuar një keqkuptim me komentin tim dhe besoj se kushdo që do të gjykojë pa paramendim dhe pa e menduar edhe këtë si rastin e radhës për të baltosur Policinë e Shtetit, do të gjejë arsye për ta pranuar ndjesën time!” – mbyll reagimin e tij Veliu.

Drejtori i policisë publikoi ditën e sotme një video teksa raportonte në Komisionin e Sigurisë për dhunën e disa punonjësve policisë ndaj një 15-vjeçari te Parku i Liqenit.

Në pamjet video tregohej e ëma e 15-vjeçarit që mbante në duar një pistoletë por më pas doli që e gjithë skena ishte shkëputur nga një film ku ajo luante.

Publikimi i videos e komentet e Veliut sollën një reagim të ashpër në rrjetet sociale me qytetarë e politikanë që kërkuan dorëheqjen e tij.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *