Vendosni fjalën kyçe....

Basha mes qytetarëve në Durrës: Nuk ju premtoj mrekullira, por një qeveri normale


Ditën e sotme, kreu i Partisë Demokratike ka zhvilluar një miting në qytetin e Durrësit, ku është takuar me qytetarët përkundër rregullave të distancimit social të vendosura nga qeveria për shkak të pandemisë.

Kreu i opozitës thotë se është shumë e rëndësishme që mbyllja dymujore i bëri shqiptarët të kuptojnë se rreziku më i madh për shëndetin dhe ekonominë e tyre është Ramavirusi.

Sipas Bashës, largimi një orë e më parë i Edi Ramës është kërkesë e shumicës së shqiptarëve, pavarësisht përkatësise politike, profesionit apo moshës së tyre. Ai e konsideron kryeministrin si të keqen më të madhe që i ka ndodhur ekonomisë, arsimit e shëndetësisë në këto 7 vite.

“Ramavirusi ka vepruar në mënyrat më perfide dhe tinzare për të shkatërruar ekonominë, për të shkatërruar vendet e punës, për të shkatërruar familjet tona, për të nisur qindra mijëra djem dhe vajza drejt emigracionit dhe për të shkatërruar institucionet e demokracisë, për të prishur zgjedhjet, për të kapur drejtësinë dhe po bëjnë gjithçka sot për të shkatërruar edhe reformën zgjedhore, sepse Ramavirusi ka frikë nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ato janë vaksina që do ta mposhtë, do ta shkatërrojë e do t’ua kthejë Shqipërinë shqiptarëve.

Nuk e di se kur do të vijë kura për koronavirusin, shpresoj sa më shpejt, por e di qe e vetmja kurë për Ramavirusin është bashkimi i shqiptarëve, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.”- tha Basha.

Kryedemokrati theksoi se për shkak të mungesës së ndihmës nga qeveria Rama, ekonomia është shkatërruar dhe mbi 120 mijë vende pune janë mbyllur në dy muaj.

“Asnjë popull nuk ka paguar rritje taksash këto shtatë vite si shqiptarët. Asnjë popull nuk ka paguar rritje të faturave të energjisë, rritje të çmimit të karburantit si shqiptarët. E pra taksat i rriti, faturat e energjisë i rriti, çmimin e naftës e rriti, gjobat i rriti dhe kur erdhi dita, kur erdhi dita, kur e vetmja detyrë e çdo qeverie në botë ishte t’u vinte në ndihmë njerëzve, Edi Rama i braktisi njerëzit, i braktisi familjet në nevojë, i braktisi bizneset, i braktisi të punësuarit, i braktisi të papunët”– tha Basha.

Ai theksoi edhe një herë tjetër akuzat e tij, se Rama është kujdesur që paratë të shkojnë për një grusht oligarkësh dhe për të vjedhur përmes tenderave,në vend që t’u vijë në ndihmë qytetarëve.

Ai kujton se pagesën më të fundit prej 730 mijë eurosh për inceneratorin e Tiranës dhe tenderin 3.9 milionë euro për zyrat luksoze të Ujësjellësit në Tiranën pa ujë.

Basha tha se ai vetë nuk mrekullira, por se sëbashku me aleatët e tij do të drejtojë një qeveri normale për t’ju garantuar qytetarëve një jetë normale.

“Nuk ju premtoj mrekullira, por unë dhe Partia Demokratike dhe koalicioni i opozitës së bashkuar me i madhi në 30 vite, ju premtojmë se ne do të sillemi si një qeveri normale për t’ju garantuar një jetë normale që ju të keni dinjitetin normal. Ju garantoj se do t’i japim fund hedhjes së parave të taksave tuaja në xhepat e oligarkëve. “- tha Basha.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *