Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka reaguar lidhur me mitingun e sotëm të Lulzim Bashës në qytetin e Durrësit, duke e konsideruar një shfaqje ekstreme papërgjegjshmërie nga ana e kreut të opozitës.
Manastirliu ka publikuar foto nga takimi i Bashës me qytetarët, ndërsa thekson se në kushtet e hapjes, njerëzit më shumë se kurrë duhet të respektojnë rregullat e mbrojtjes nga COVID-19, sepse ekspozimi është i madh. Ajo shton se Basha mund t’i thotë të gjitha ato që ka për të thënë, pa qenë nevoja të vërë në rrezik shëndetin e qytetarëve.
“Si ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale jam e tmerruar nga kjo shfaqje ekstreme papërgjegjshmërie, në kushtet e hapjes, kur më shumë se kurrë njerëzit duhet të respektojnë rregullat e mbrojtjes nga COVID-19, sepse ekspozimi është i madh!
Si mund të jepet kjo shfaqje dhe cili lider në botën e sotme jep këtë shembull thjesht për interesin e vet politik?!
Zoti Basha mund t’i thotë të tëra ato që ka për të thënë, pa vënë në rrezik shëndetin e njerëzve në këtë formë ekstreme papërgjegjshmërie. Numrat e rritur janë efekt i parashikuar i hapjes. Por kjo ngjeshje njerëzish për qëllimet e një njeriu mund t’i rrisë numrat përtej parashikimeve më negative dhe kostoja mund të bëhet marramendëse!
U bëj thirrje qytetarëve të mos bien pre e kësaj papërgjegjshmërie të pajustifikueshme dhe zotit Basha të mos i faturojë njerëzve e vendit, koston e papërballueshme të luftës së tij të dëshpëruar për pushtet!”– shkruan Manastirliu.
Kujtojmë se kryetari i PD-së është gjobitur dy herë gjatë pandemisë, njëherë pas një vizite në qytetin e Durrësit, e njëherë tjetër pas protestës së 17 Majit për Teatrin Kombëtar.