Bashkëdrejtuesja e Komisionit për Reformën Zgjedhore, Rudina Hajadari, pak para nisjes së takimit të Këshillit Politik i ka ftuar palët e tjera pjesëmarrëse nga të gjitha krahët politikë të ulen dhe të mos mbyllin mbledhjen pa arritur në kompromis.
Afati i vendosur për arritjen e një kompromisi i vendosur nga palët është data 31 maj, ndërkohë Hajdari shtron 4 çështje për të cilat palët duhet të arrijnë kompromis.
“Duke qenë se na ndajnë vetëm 24 orë nga mbarimi i afatit që kemi vendosur për të përfunduar reformën zgjedhore dhe ende jemi larg një kompromisi, i ftoj sot publikisht anëtarët e Këshillit Politik që të mos e mbyllim mbledhjen derisa të arrijmë kompromisin për këto çështje:
Sistemin Zgjedhor
Teknologjinë e përdorur në zgjedhje për identifikimin e votuesve
Administrimin e zgjedhjeve dhe administratën zgjedhor
Kolegjin Zgjedhor
Nëse nga sot e deri nesër, punojmë pa pushim, duke patur parasysh jo interesat e ngushta të partive por interesat më të mira të shqiptarëve ne mund t’ia dalim të prodhojmë një reformë e cila ti rezistojë kohës dhe të prodhojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Shqiptarët qartazi sot duan të kenë më shumë pushtet në përzgjedhjen e deputetëve nëpërmjet listave të hapura.
Shqiptarët janë të lodhur nga historia 30 vjeçare e zgjedhjeve që vidhen, blihen apo shkatërrohen nga keqpërdorimi I administratës shtetërore apo përfshirja e krimit të organizuar.
Unë mbetem e vendosur për ti zgjidhur këto çështje, i ftoj edhe kolegët të më bashkohen në këtë vendosmëri dhe të mos dalim nga takimi pa arritur një rezultat”-shkruan Hajdari.