Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot hartën e zonave të kuqe, që përfshin vetëm qytetet: Tiranë, Durrës, Shkodër, Kurbin dhe Krujë.
Siç bën me dije Rama në hartën e publikuar në “Story” në Facebook, këtë fundjavë nuk do të ketë më kufizime në lëvizjen e qytetarëve.
Por ka vetëm një gjë që do ndalohet për zonat e kuqe deri në datën 1 qershor, një kufizim i vetëm dhe kjo është dalja nga perimetri i këtyre zonave.
Por duke nisur nga e hëna e 1 qershorit edhe ky kufizim do të hiqet, dhe më në fund pas afro 3 muajsh do të lejohet lëvizja e qytetarëve nga zonat e kuqe në zonat e gjelbra.
Kështu këtë të shtunë dhe të dielë qytetarët do të mund të lëvizin si në ditët normale para karantinës, pa kufizime oraresh.
Bizneset po ashtu do të lejohen të ushtrojnë aktivitetin e tyre, madje edhe lokalet e restorantet.
Kujtojmë se më parë gjatë fundjavave kishte vetëm një fashë orari për pensionistët deri në orën 10:00, pas tyre prindërit me fëmijët nën 14 vjeç, ndërsa pjesa tjetër ishte e detyruar të qëndronte mbyllur. Të shtunave lejoheshin vetëm farmacitë e ushqimoret, ndërsa të dielave nuk lejohet asnjë lloj aktiviteti biznesi.