Përfaqësuesit e opozitës në tryezën e reformës zgjedhore, Bylykbashi i PD-së e Vasili i LSI-së deklaruan pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Politik se Partia Socialiste nuk ishte e gatshme për marrëveshje pavarësisht konsensusit të ofruar nga opozita.
Bylykbashi tha për gazetarët se opozita nuk ka ndërmend të heqë dorë nga garancitë për votën e qytetarëve dhe se identifikimi biometrik është thelbësor në procesin zgjedhor.
“Ofruam konsensus për çështjet e rëndësishme. PS nuk ishte gati. Opozita nuk heq dorë nga garancitë për votën e qytetarëve shqiptarë dhe për një process zgjedhor që krijon legjitimitet për të gjithë. Nuk është çështje pazaresh. Bëhet fjalë për votën. Identifikimi biometrik është esencial. Kjo do të thoshte rritje të garancive dhe jo rënie të garancive minimale, të dominuar nga votimet moniste të 30 qershorit kur gjithçka numërohej vetë.” – tha ndër të tjera Bykykbashi.
Të njëjtën gjë deklaroi edhe Vasili i cili tha se pa garancinë e identifikimit biometrik, nuk mund të vijohet me elementët e tjerë.