Vendosni fjalën kyçe....

Kush fshihet pas protestave të dhunshme në SHBA, si lidhen demokratët e radikalët e majtë


 

Presidenti amerikan Trump e Kryeprokurori i SHBA-ve, Barr, kanë deklaruar se pas protestave për vdekjen e George Floyd në Minesota qëndrojnë grupet radikale të majta dhe Antifa.

Sipas Kryeprokurorit Barr, ndërsa protestat e qytetarëve për vdekjen e George Floyd janë të drejta, ato po instrumentalizohen nga grupet radikalet e majta të cilat kanë agjendë të përcaktuar qartë.

“Fatkeqësisht me trazirat që po ndodhin në shumë prej qyteteve tona në të gjithë vendin, zërat e protestave paqësore po rrëmbehen nga elementë radikalë të dhunshëm. Grupe agjentësh radikalë të jashtëm po shfrytëzojnë situatën për të ndjekur agjendën e tyre të veçantë dhe të dhunshme,” tha Barr në një konferencë për shtyp në Departamentin e Drejtësisë.

Ai shtoi se në shumë qytete, dhuna është e planifikuar, e organizuar dhe e drejtuar nga grupet anarkiste të majta të cilët përdorin taktikat e Antifa-s (organizatë radikale e majtë).

Presidenti amerikan Trump ka deklaruar se pas dhunës së planifikuar qëndrojnë grupet radikale të majta që po instrumentalizojnë protestat për vdekjen e George Floyd për agjenda politike.

“Është Antifa dhe e majta radikale. Mos ua vini fajin të tjerëve.” – shkroi Trump në Twitter.

Por nuk janë vetëm presidenti e kryeprokurori që e deklarojnë këtë gjë. Protestuesit në disa nga qytetet e mëdha amerikane ku po zhvillohen demonstrata lidhur me vdekjen e George Floyd në Minesota kanë pohuar se persona të organizuar po i drejtojnë protestuesit drejt përplasjeve të dhunshme e po i furnizojnë ato me gurë, shkopinj e armë të tjera.

Raportohet gjithashtu se anëtarë të shumtë të stafit të kandidatit demokrat për president Joe Biden, kanë dhuruar shuma të mëdha për një organizatë (Minnesota Freedom Fund) në Mineapolis që paguan lirimin me kusht të të ndaluarve.

Reuters raporton se anëtarët e stafit të Biden kundërshtuan të përgjigjen nëse dhurimet e tyre kanë të bëjnë me protestat e dhunshme që po zhvillohen në Minnesota apo qytete të tjera amerikane. Ndërkohë vetë Biden nuk i ka dënuar protestat e dhunshme në Mineapolis e qytete të tjera.

Kryeprokurori i Minesotës, Keith Ellison, ish-kongresmen dhe zv.kryetari i Komitetit Demokrat, është një nga mbështetësit e hershëm të Antifas.

Në vitin 2018 ai shprehte mbështetjen për organizatën radikale të majtë por më pasi fshiu nga rrjeti postimet në mbështetje të saj edhe pse ato mund të gjenden ende.

Protestat më të dhunshme po mbahen në shtetet e qeverisura nga guvernatorët demokratë si Minesota, Illinois, Kaliforni e Nju Jork e asnjë nga guvernatorët e majtë nuk e ka dënuar qartësisht dhunën e protestuesve.

Sipas USA Today, përpjekjet e demokratëve dhe mediave për të fajësuar për trazirat aktivistët e krahut të djathtë janë absurde dhe politike.

Ajo citon një ekspert sigurie sipas të cilit ‘raportet e inteligjencës tregojnë se shumica e protestuesve të ashpër në Minneapolis janë të majtë ose anarkistë dhe se grupet e ekstremit të djathtë nuk kanë bërë ende ndonjë paraqitje për t’u shënuar.’

Protestat e dhunshme në Mineapolis e qytete të tjera amerikane nisën pas vdekjes së afro-amerikanit George Floyd, i cili u keqtrajtua nga policia para se të ndërronte jetë në paraburgim. Policët që akuzohen për vdekjen e tij janë arrestuar e përballen me akuza të ndryshme mes të cilave edhe vrasje e shkallës së tretë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Breitbart e Dailywire


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *