Microsoft do të zëvendësojë dhjetëra gazetarët që i ka me kontratë në faqen e internetit të MSN-së dhe të përdorë sisteme të automatizuara për të përzgjedhur lajmet e raportimet e mediave amerikane dhe britanike.
Momentalisht kurimi i shkrimeve të organizatave të lajmeve dhe përzgjedhja e titujve dhe fotove për faqen e MSN-së bëhet nga gazetarët.
Mirëpo sikurse shkruan Seattle Times, së shpejti për këto detyra do të përdoret Inteligjenca artificiale – robotë.
Gjigandi i teknologjisë amerikane tha në një deklaratë: “Si të gjitha kompanitë, ne e vlerësojmë biznesin tonë në mënyrë të rregullt. Kjo mund të rezultojë në rritje të investimeve në disa vende dhe, herë pas here, rizhvendosje në të tjera. Këto vendime nuk janë rezultat i pandemisë aktuale “.
Microsoft i paguan organizatat e lajmeve për të përdorur përmbajtjen e tyre në faqen e saj të internetit. Por punëson gazetarë të vendosin se cilat histori do të shfaqen dhe si do të paraqiten.
Si rezultat I përdorimit të robotëve, rreth 50 prodhues të lajmeve me kontratë do të humbasin punën e tyre në fund të qershorit, megjithatë sërish do të mbetet një ekip gazetarësh me kohë të plotë.
“Është demoralizuese të mendosh që makinat mund të na zëvendësojnë por atje ku shkon”– i tha gazetës një prej gazetarëve.
Disa prej gazetarëve të larguar nga puna paralajmëruan se inteligjenca artificiale mund të mos jetë plotësisht e njohur me udhëzimet e rrepta editoriale dhe mund të përfundojë duke lejuar histori të papërshtatshme në rrjet.