Policia ka shoqëruar deri më tani 30 persona të dyshuar apo që kanë dijeni për ngjarjen që ndodhi mbrëmjen e kaluar në Kurbin, ku humbën jetën biznesmeni Bujar Lika dhe Paulin Gjergji (vdiq sot në spital) si dhe u plagos 21-vjeçari Kreshnik Tusha.
Forcat e policisë, ndodhen aktualisht te Spitali i Traumës, në pritje për të marrë dëshminë e të plagosurit, i cili u gjet pak metra larg vendngjarjes.
Gjatë natës i riu i është nënshtruar një operacioni, pasi ka marrë tre plumba në këmbë.
Policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë në dorën e biznesmenit Lika, i cili dyshohet paraprakisht se ka qenë ai shënjestra e atentatit. Një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e kaluar por në kryqytet, për fat të mirë pa viktima. Një sasi tritoli shpërtheu në Hotelin e Ervin Matës pranë QSUT-së.
Policia po heton për lidhjen mes 2 ngjarjeve, pasi Mata dhe grupi kriminal me të cilin kishte lidhje Bujar Lika kanë pasur një përplasje të mëparshme në 4 tetor 2018, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.
Ish-Blloku lidh 2 ngjarjet
Lika i cili njihet edhe me mbiemrin Hasani, dyshohej si i përfshirë në një ngjarje kriminale në Linzë në vitin 2015, ku mbeti i vdekur Enton Nikaj.
Në vitin 2016 Lika u dënua nga gjykata me një vit burg. Për këtë vrasje u dënuan gjithashtu: Emiljano Tasho 16 vjet, Erjon Biraci 2 vjet, Ervis Martinaj 1 vit e 4 muaj, Mirsad Kuçana 1 vit e 4 muaj dhe Bujar Hasani 1 vit burg.
Por në Apel, Ervis Martinaj, Mirsad Kuçana dhe Bujar Lika që u vra mbrëmë morën pafajësi. Ndërsa Tasho u dënua përfundimisht me 14 vite për vrasjen e Enton Nikajt dhe Erjon Biraci 2 vite.
Lika njihej për miqësinë e vjetër me Ervis Martinajn, emri i të cilit njihet më shumë për ngjarjen në Bllok të vitit 2018. E është pikërisht ky emër dhe kjo ngjarje që bëjnë një lidhje me një tjetër ngjarje kriminale që ndodhi mbrëmjen e kaluar në kryeqytet, me vetëm pak minuta diferencë me ngjarjen në Kurbin.
Tritoli u vu mbrëmë tek një hotel në zonën pranë QSUT-së në Tiranë, që ishte në pronësi të Ervin Matës. Sipas policisë së Shtetit, për shpërthimin me tritol nuk ka asnjë të dyshuar por ka vetëm një detaj që mund të shënojë edhe fundin e agressorëve – targa e automjetit.
Si Ervis Martinaj, edhe Ervin Mata ishte i përfshirë në përplasjen me armë në ish-Bllok në vitin 2018, ku mbeti i vrarë shtetasi Fabiol Gaxha.
Shpërthimi në hotelin e tij ndodhi vetëm rreth 30 minuta pas atentatit në Laç, dhe duket si një shenjë se ngjarja e ish-Bllokut do vazhdojë të prodhojë lajme të kronikës së zezë. Gjatë përplasjes me armë në një lokal në ish-Bllok u vra Fabiol Gaxha e u plagosën Ervis Martinaj e Elon Hato. Ervin Mata akuzohet se ka ndihmuar komandon Marviol Bilon të largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke mos u arrestuar sot e kësaj ditë nga policia kriminale e Tiranës.