Udhëtimi me charter i kryeministrit Rama drejt Francës në fundjavë ka çuar në replika PS-PD. Pas lajmit për këtë udhëtim ka reaguar Partia Demokratike.
Përveç deklaratës zyrtare të selisë blu, ka pasur edhe reagime të tjera të zyrtarëve të saj ku mund të përmenden ai i Sekretarit të Përgjithshëm Bardhi e zv.kryetarit Paloka.
Në reagimin e saj selia blu thotë se është e turpshme që kreu i qeverisë harxhon mijëra euro për luks personal ndërkohë që qytetarët janë në pikë të hallit. Ajo i kërkon kryeministrit që të tregojë mbi arsyet e këtij udhëtimi të fshehtë.
“E turpshme është që Edi Rama të harxhojë me mijëra euro për luksin personal, kur shqiptarët i ka lënë në pikë të hallit. E turpshme është që Edi Rama te udhëtojë si hajdut me charter personal dhe ta mbajë të fshehtë arsyen. E turpshme është të justifikosh luksin dhe vjedhjen e Ramës, duke akuzuar opozitën që zbuloi të vërtetën e udhëtimit në fundjavë prej 100 mijë euro me avion privat. Edi Rama nuk mund të fshihet. Ai ka udhëtuar me avion privat në fundjavë në Francë. Pse?” – thuhet në reagimin e PD-së.
Udhëtimi me charter në fundjavë drejt kryeqytetit francez u pohua edhe nga këshilltari i Ramës, Endri Fuga.
Nëpërmjet një postimi në Twitter, ai shkruan se akuzat ndaj kryeministrit për udhëtimin e tij janë të turpshme. Sipas tij udhëtimi ka qenë për arsye pune bazuar në një marrëveshje me Air Albania.
“E turpshme akuza për udhëtimin 24orësh të KM në Paris me avionin, që siç e kemi sqaruar publikisht, përdoret veç për arsye pune, bazuar në një marrëveshje të posaçme me AIR ALBANIA pa qëllim fitimi. Ata që akuzojnë mesa duket vetëm këto që shpifin për ne kanë bërë kur qeverisnin!”, shkruan Fuga në Twitter.