89 të infektuar dhe 7 viktima janë shifrat e kësaj të hënë në Maqedoninë e Veriut sa i përket situatës me COVID-19. Këto janë shifrat më të larta të regjistruara që prej muajit mars kur u pikas edhe pacienti 0.
Por përpos shifrave në rritje, ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe në një konferencë për media deklaroi se situata është nën kontroll dhe se shumica e të infektuarve janë në gjendje të mirë shëndetësore me simptoma të lehta.
“Analizat e komisionit tregojnë se shumica e të infektuarve janë simptomatikë apo kanë pasqyrë të lehtë klinike, dhe mund të trajtohen edhe në shtëpi. Kjo na jep të drejtë të themi se sistemi shëndetësor do të mund të ballafaqohet si duhet edhe me këtë valë të infektuarish, për të cilën kemi edhe kapacitete të mjaftueshme”, tha ministri.
Për shkak të numrave do të shtyhet edhe diskutimi për hapjen eventuale të kufijve dhe çerdheve dhe do shqyrtohet edhe mundësia për karantinë në zonat e prekura së fundmi.
“Kemi sjellë vendim unanim që të bisedojmë për fazat e ardhshme të lehtësimit të masave në fund të kësaj jave. Për momentin mbeten në fuqi vendimet e marra. Për kohën kur do të hapen çerdhet dhe kufijtë do të flasim gjatë periudhës në vazhdim”, shprehet Filipçe.
Me gjendjen e re, mbetet pezull edhe ideja për zgjedhje. Partia në pushtet LSDM, insiston për zgjedhje në fillim të korrikut, por një numër i madh i funksionarëve të kësaj partive janë të infektuar ose në vetëizolim për shkak të kontaktit me nënkryetarin e kësaj partie Muhamed Zeqiri i cili rezultoi pozitiv.
Ndërkohë autoritetet shëndetësore do të bëjnë anketime edhe për persona të tjerë me të cilët ka pasur kontakt nënkryetari i LSDM-së. Gjatë ditëve të fundit numri më i lartë i të infektuarve është regjistruar në vendbanime me shumicë shqiptare.