Ngjarja e abuzimit seksual të një 15-vjeçareje në Tiranë nga roja i shkollës ka tronditur opinionin publik.
E duket se rojen Abaz Doku, e dënon edhe djali i tij i cili thotë se është konfrontuar edhe fizikisht me babanë për këtë çështje. E madje ka kërkuar dhe pushimin e të atit nga puna si roje i shkollës.
“E dënoj veprimin e babait. Na ka thënë se nuk ka kryer marrëdhënie me dhunë por gjithsesi ai është fajtor se ajo ishte e mitur. Unë e kam denoncuar dhe më herët tim atë për sjelljet e tij të pahijshme. Bashkë jemi konfrontuar edhe fizikisht për këtë çështje dhe unë kam kërkuar nga drejtori i shkollës që ta heqë nga puna para një viti. Kërkoj nga drejtësia që ta dënojë tim atë”– thotë ai siç citon Balkanweb.
Historia e abuzimit të vajzës së mitur kishte nisur që 1 vit më parë, kur ajo ishte vetëm në klasë të 8-të. 65-vjeçari u pushua nga puna për këtë arsye dhe pavarësisht kësaj e vijoi përndjekjen e vajzës edhe në lagje. Ai e shantazhonte duke i thënë se i dinte historitë intime që ajo ka pasur në shkollë dhe ka vandalizuar muret pranë banesës së saj, duke i shkruar “S….. kur*a”.
Pas presionit të vazhdueshëm, adoleshentja është dorëzuar dhe ka kryer marrëdhënie me 65-vjeçarin në një banesë ku nuk banonte askush. Ishte banesa e vëllait të 65-vjeçarit që jetonte jashtë shtetit, por që çelësat ia kishte lënë atij.
Abaz Doku e ka filmuar episodin me video dhe ia ka dërguar pamjet një 20-vjeçari. Së bashku me dy të mitur të tjerë, edhe ky akuzohet se i ka përdorur pamjet për të kërcënuar vajzën e për ta detyruar të kryente marrëdhënie seksuale.
Ajo që e bën më të rëndë ngjarjen është se shumë banorë të lagjes e dinin historinë, por askush nuk shkonte t’u tregonte prindërve, të cilët nuk e dinin se kush ishin ata që po i vandalizonin muret dhe po e shqetësonin aq shumë bijën e tyre.