Vendosni fjalën kyçe....

Dritëhijet e vdekjes së të miturit në vendin e punës në Vlorë


 

A ishte Jaup Begorataj duke punuar kur u përplas nga skrepi 3 ditë më parë, apo thjesht po kalonte aty? Ka shumë dyshime lidhur me vdekjen e 17-vjeçarit në Vlorë dhe kjo paqartësi nis që me njoftimin e parë të policisë, ku nuk zbulohej mosha e viktimës, a thua se policia nuk donte që e vërteta të zbulohej.

E kështu në disa media, sugjerohej gabimisht se bëhej fjalë për një punëtor 25-vjeçar. E në disa thuhej edhe 29-vjeçar.

 

Brenda orësh lajmi u ndryshua dhe mediat zbuluan se në të vërtetë bëhej fjalë për një 17-vjeçar – të quajtur Jaup Begorataj.

Djali i mitur ishte rritur nga gjyshërit me shumë vështirësi, për shkak se prindërit e tij ishin të sëmurë dhe vuanin nga probleme të shëndetit mendor.

Vështirësitë e kishin detyruar Jaupin t’i futej punës që në moshë të re dhe banorët që e njihnin thonë se ai kishte qenë duke punuar në kantier.

Lidhur me ngjarjen policia ka arrestuar manovratorin e skrepit dhe teknikun e firmës që mbikqyrte punimet. Por nuk dha asnjë informacion nëse i riu punonte në atë kantier apo jo.

E disa media ndërkohë nisën të shkruanin duke iu referuar burimeve policore, se adoleshenti nuk kishte qenë duke punuar, por kishte shkuar për të takuar një shok.

E pavarësisht këtyre informacioneve, lidhur me ngjarjen ka shumë dyshime se i riu punonte pa siguracione dhe jashtë çdo rregulli ligjor. Gjë që ka nxitur reagimin e organizatave të ndryshme në vend.

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë ka reaguar duke akuzuar për ngjarjen firmën që po punonte për hapjen e një grope që do shërbente për ndërtimin e një parkingu. Sipas organizatës, 17-vjeçari Jaup Begorataj ka qenë duke punuar në gropë në momentin kur është goditur nga skrepi i fadromës dhe ka ndërruar jetë në vend.

“Pasiguria në punë vret dhe në pandemi shteti hesht !

Një 17 vjeçar në Vlorë ka humbur jetën në një aksident në punë në qytetin e Vlorës për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë teknike.
17 vjeçari ka qenë duke punuar në një gropë kur është goditur nga skrepi i një fadrome dhe ka humbu jetën në vend.
Trupi i pajetë ka qëndruar për minuta të tëra, ndërkohë kanë qenë mediat që kanë njoftuar policinë dhe qytetarët.
Në Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë i urojmë ngushëllime familjes dhe kërkojmë që policia dhe prokuroria të nisin një hetim.
Ky është një aksident për shkak se drejtuesit e firmës që po kryen punime nuk kanë respektuar kushtet e sigurisë teknike në punë.
Sektori i ndërtimit po konkurron me galeritë e vdekjes minierat sa i përket punëtorëve që humbin jetën në vendin e punës.
Inspektoriati Shtetëror i Punës prej vitesh është në drejtim të paditur dhe siguria e jeta e punëtorit shqiptar është në mëshirë të fatit.
STOP PASISURISË NË PUNË, JETA E PUNËTORIT SHQIPTAR ËSHTË SHENJTË!”– thuhet në reagimin e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë.

Për vdekjen e 17-vjeçarit ka patur përsëri reagime edhe nga organizata të tjera, si “Të drejtat e punëtorëve në Shqipëri” apo “Organizata Politike”.

Afërmendsh kjo histori na ka kujtuar një tjetër ngjarje të rëndë që ka ndodhur më 7 gusht të 2016-ës,  ku një tjetër 17-vjeçar, Ardit Gjoklaj, humbi jetën duke punuar i pasiguruar në qendrat e ricikluara të promovuara nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *