Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka hedhur kritika ndaj Kryeministrit në Detyrë Albin Kurti pas hapjes së kufirit me Shqipërinë por me disa kushte.
Thaçi thotë, se Kurti hapi kufirin me Shqipërinë por i vendos në 7 ditë karantinë të gjithë ata që kalojnë doganën.
Një pikë shqetësuese për Thaçin është vendosja e tarifës për dezinfektimin e mjeteve.
Thaçi e ka quajtur këtë absurditet pasi kufiri me Serbinë sipas tij është hapur pa kufizime ndërsa me Shqipërinë ka pengesa.
Postimi i plotë:
Albin Kurti derisa ka hapur krahë më krah kufirin me Serbinë, për të hyrë kushdo, pa asnjë procedurë si në bahçe të babës, ai nga zyra e uzurpuar sot ka urdhëruar dhe keqpërdorur Policinë e Kosovës. Ai padrejtësisht dhe kundërligjshëm sot ka urdhëruar policinë që të gjithë qytetarët e Shqipërisë që hyjnë në territorin e Kosovës, përpos vonesave procedurale, të dërgohen shtatë ditë në karantinë për të pritur testimin për COVID-19. Po ashtu, me veprime shtesë, ai ka urdhëruar që automjetet transportuese që hyjnë nga territori i Shqipërisë në emër të dezinfektimit të ngarkohen me taksë të veçantë, duke rënduar edhe më shumë lëvizjen e lirë dhe qarkullimin e mallrave.
Ky është absurditet! Hapet me Serbinë dhe e mbyllë Kosovën nga Shqipëria. I heq taksën Serbisë dhe ia vë Shqipërisë.
Ky është predikuesi i bashkimit kombëtar! Në fakt, këto veprime janë shqelmat e fundit të Kurtit nga zyra e uzurpuar!