Bashkëkryetarja e Komisionit për Reformën Zgjedhore Rudina Hajdari, në emisionin “Opinion”, zbuloi disa nga diskutimet që u bënë për 9 orë në rezidencën e Ambasadës Amerikane.
Hajdari tha se palët kanë rënë dakord për identifikimin biometrik, ndërsa janë në negociata akoma për administratën zgjedhire.
“Jemi në mes të një negociate. Administratën zgjedhore e kishin si çështjen më kyç në këtë gjë. Mazhoranca qëndron për depolizitimin e plotë, ndërkohë PD e do të pjesshëm, palët nuk bien dakord si do ta zgjidhin këtë çështje. Kanë rënë dakord për identifikimin biometrik. Administrata zgjedhore është një çështje e rëndësishme dhe palët nuk luajnë nga vendet e tyre. Ndërkombëtarët janë shtytës. Nuk të toleron njeri aty brenda të bësh deklarata politike”-deklaroi Hajdari.
Sa i përket ndryshimit të sistemit politik, Rudina Hajdari thotë se asnjë nga partitë PS-PD-LSI nuk është e interesuar për ta ndryshuar.
“Sa i përket sistemit, insistova deri në fund të diskutonim për këtë çështje. Këta nuk e duan ndryshimin e sistemit. Në tryezë mundohen ta shmangin. Sistemin zgjedhor mundohen ta shmangin. Jam munduar që në çdo pikë të gjej pikë konsensusi me ta, por nuk duan. PS thotë e diskutojmë në fazë të dytë, PD nuk do, LSI nuk është shprehur fare. Jam munduar që t’i bind me argumente”-tha Hajdari.