Vendosni fjalën kyçe....

Përplasja e Ramës me gazetarin dhe pamjet qe e përgënjeshtrojnë


Takimin e parë me gazetarët që pas mbylljes nga pandemia kryeministri Edi Rama e ka nisur me një gafë për të mos thënë një ‘fake news’. Gjatë konferencës për mediat në ambientet e jashtme të spitalit të ri covid 4 në hyrje të Tiranës, Kreu i qeverisë i referohet spitalit të Elbasanit si spital ‘Covid’ duke më fajësuar drejtpërdrejt se kam tentuar të hyj forcërisht në këtë spital duke vënë në rrezik infektimi jetën time, të pacientëve dhe familjarëve të shtruar.

Por për cilin spital Covid e ka fjalën kryeministri pasi që nga nisja e pandemisë kanë funksionuar vetëm dy të tillë, klinika infektive në QSUT dhe spitali i Sanatoriumit nga 28 marsi deri në 18 maj. Pra Spitali i Elbasanit nuk ka qenë kurrë një spital Covid fakt të cilin kryeministri ndoshta nuk e di pasi në të kundërt përse do të duhej të lëshonte këtë gafë.

Por pasaktësitë e kryeministrit gjatë replikës nuk mbarojnë me kaq.
Kryeministri flet për kronikën e realizuar në News24 ku ai thotë se ka parë gazetarin të ushtrojë forcë për të hyrë në ambientet spitalore. Madje shkon edhe më tej duke thënë se ka ndjerë keqardhje për rrezikun e infektimit të gazetarit.

Po si qëndron e vërteta e speciales në Spitalin e Elbasanit.
Materiali i transmetuar në News24 në datë 12 maj 2020 të cilit i referohet kryeministri ka si qëllim për të përcjellë tek publiku kushtet spitalore në Elbasan ku u transferuan për 6 javë të sëmurët kronikë që mbetën pa një spital të specializuar pas mbylljes së sanatoriumit dhe kthimit të tij në spital Covid 2.

Materiali dëshmon qartë se nuk ka pasur asnjë ushtrim force apo tentativë sado të vogël nga gazetari për të hyrë forcërisht në spital siç pretendon kryeministri, përkundrazi. Duke respektuar masat mbrojtëse dhe distancimin social unë si gazetar tregoj se si kam ndjekur rrugën institucionale duke kërkuar leje që në fillim në drejtorinë e spitalit, leje që është refuzuar me argumentin e pandemisë.

Pas refuzimit të lejes pa asnjë arsyetim bindës dhe pas heshtjes së drejtoreshës së institucionit kam kontaktuar nga jashtë objektit me një pacientë që shpreh dëshirën për të folur të cilit i kërkon të dalë jashtë spitalit për t’u intervistuar. Pikërisht në këtë moment ka pasur ushtrim force nga rojet e sigurisë që kanë tentuar daljen jashtë spitalit të pacientit. Gjithsesi në fund pacienti me sëmundje malinje në mushkëri arrin të gjejë një derë sekondare për të dalë nga spitali.

Rrëfimi i të moshuarit të sëmurë është rrëqethës teksa ndërpritet nga frymëmarrje tejet e rënduar. I sëmuri dëshmon se nuk ka marrë shërbimin e duhur dhe së në spital mungojnë gjërat më bazike duke nisur nga ilaçet.

Është e habitshme sesi një kronikë rutinë, pa përplasje, pa dhunë, pa fakte ekskluzive dhe pa skandale të detyrojë deri në atë pikë kreun e qeverisë shqiptare sa të thotë të pavërteta të dukshme duke ofenduar e përçmuar punën gazetareske brenda çdo kodi etik të shkruar e të pashkruar.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e BalkanWeb, shkruar nga Erjon Skëndaj

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *