Në bashkëbisedimin e sotëm me gazetarët, kryeministri Edi Rama u pyet se si mund të ia bëjnë shqiptarët për të marrë analizën e tamponit, kur të duan të futen në Kosovë, pasi policia e Kosovës ua kërkon të vërtetojnë se nuk janë të infektuar.
Rama tha se në Shqipëri nuk ka një shërbim privat të tillë, ku mund të bëhet analiza e COVID-19.
Ai tha se autoritetet e Kosovës i kanë të gjitha mundësitë për ta hequr këtë kërkesë të cilën ai e konsideron të tepërt.
“Ne nuk kemi një shërbim tamponimi privat. Them ne por nuk e kemi vendosur ne. Janë ekspertët që e kanë sugjeruar që çështja e tamponit është si analizat e gjakut, bëhet mbi bazën e strategjisë së gjurmimit dhe e përsqëris që vlera e tij është shumë relative kur bëhet kot apo kur bëhet si analizë gjaku, sepse mund ta bësh sot dhe ende nuk ke shenja, hyn në kufirin tjetër dhe nesër të shfaqen shenjat. Nuk e kemi si shërbim. Nuk e dija këtë detaj dhe mund të them se autoritetet e Kosovës i kanë mundësitë ta lehtësojnë këtë proces dhe këto kërkesa për qytetarët shqiptarë duke mos bërë kërkesa të tepërta përveç hyrjes me targa të rregullta.”– tha Rama.
Ndërsa i pyetur nëse ka ndërmend të zgjasë gjendjen e emergjencës, ai tha se nuk ka arsye për ta bërë këtë.