Presidenca ka reaguar lidhur me letrën që kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, i ka dërguar kreut të shtetit Ilie Meta.
Zëdhënësi i presidentit, Tedi Blushi, thotë që Meta e ka respektuar detyrimin e tij kushtetues duke propozuar 3 kandidatura dinjitoze për kreun e KLSH-së.
“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ka marrë një letër pak ditë më parë nga Kryetari i Kuvendit, z.Gramoz Ruçi për çështjen e KLSH.
Presidenti Meta e ka respektuar me përgjegjshmëri maksimale detyrimin kushtetues duke propozuar tre kandidatura mjaft dinjitoze dhe të kualifikuara për të garantuar pavarësinë e KLSH.
Presidenti Meta si gjithmonë do të përmbushë detyrimet e Tij kushtetuese për të garantuar pavarësinë e institucioneve.”- thotë Blushi.
Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, iu drejtua sot me një letër presidentit të vendit Ilir Meta.
Ruçi i kërkonte Metës të respektojë afatet kushtetuese dhe të propozojë një emër të ri për kreun e KLSH-së, post i cili mbahet aktualisht nga Bujar Leskaj.
“Presim propozimin tuaj për kreun e KLSH. Kemi muaj që presim emrin për kreun e KLSH. Presidenti duhet të respektojë afatet sipas Kushtetutës”,- thuhet në letrën e Ruçit.
Bujar Leskaj u rikthye në detyrë majin e vitit të shkuar pasi kishte vendosur të dorëzonte detyrën tek zëvendësuesja e tij Lindita Lati në përfundim të mandatit 7 vjeçar. Ai u rikthye në krye të KLSH-së pasi presidenti e Kuvendi nuk po gjenin dakordësi për zëvendësimin e tij.
Meta propozoi dy kandidatura vitin e shkuar, por të dyja janë rrëzuar nga ana e mazhorancës. E para ka qenë kandidatura e gjyqtares Vitore Tusha dhe i dyti ish-kreu i SHISH, Bahri Shaqiri. Por sipas maxhorancës asnjëri nuk i plotësonte kriteret për të mbajtur këtë post.