Nëna e 15-vjeçarit që u dhunua nga policia në Tiranë, Ziada Çobo, ka paditur drejtorin e Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Sipas gazetares Klodiana Lala, Veliu është paditur për prishje të imazhit dhe e ëma e të miturit kërkon 10 milionë lekë dëmshpërblim.
Kreu i policisë shfaqi disa pamje të shkëputura nga skena e një filmi ku Çobo luante si aktore, teksa raportonte në Komisionin e Sigurisë lidhur me dhunën ndaj të miturit, i cili sipas policisë kishte shkelur rregullat e karantinës.
Teksa tregonte videon, Veliu tha para deputetëve se 15-vjeçari vinte nga një familje me probleme dhe ishte edukuar keq. Kjo solli një reagim të madh nga qytetarët e politikanët që kërkuan dorëheqjen e tij.
Veliu bëri një deklaratë zyrtare pas ngjarjes duke kërkuar ndjesë publike e duke thënë se ajo që kishte thënë ishte nxjerrë nga konteksti.
Të njëjtën gjë deklaroi dje kryeministri Rama, që tha se çështja e drejtorit të policisë ishte e mbyllur dhe se ai e kishte pranuar ndjesën e tij duke pohuar se Veliu kishte gabuar.