Policia ka publikuar detajet zyrtare lidhur me të shtënat me armë që ndodhën paraditen e sotme në Kamëz, duke shkaktuar panik tek qytetarët.
Personi që ngriti në këmbë policinë quhet Ronald Kryemadhi dhe ai dyshohet se është ekspremist. Pasi efektivët e policisë shkuan ta shoqëronin për në gjykatë, ai i kërcënoi me një armë zjarri automatik duke detyruar të ngrihen në ndihmë të punonjësve të policisë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Forcat RENEA.
Drejtori i policisë së Tiranës, Rebani Jaupi tha se i dyshuari është një praktikues i besimit mysliman dhe nuk i linte fëmijët e tij të shkonin në shkollë.
“Besimtari mysliman nuk lë fëmijët në shkollë. Ky shtetas s’ka kundërshtuar policinë dhe nëpërmjet kallashnikovit ua ka drejtuar policëve që nëse nuk largoheshin do qëllonte drejt tyre. Njoftuam RENEA dhe u kërkuar negocimi. Falë negocimit u bë e mundur vetëdorëzimi i këtij shtetasi. Aktualisht Kamza po kryen kontrollin e banesës për sekuestrimin e kallashnikovit, se ka pasur edhe një pistoletë. Nuk kemi informacion që vuan nga probleme të shëndetit mendor, veprimet e tij që nuk lejon fëmijët të shkojnë në shkollë ka të bëjë me besimin fetar që ai ndjek apo ka probleme të tilla”, tha Jaupi.
Pas ndërhyrjes së forcave RENEA, në fund Kryemadhi u dorëzua.
DETAJET E POLICISË
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 kanë shkuar në banesën e shtetasit Ronald Kryemadhi, për ta shoqëruar në Gjykatë, në zbatim të kërkesës së saj, për shoqërim të detyrueshëm të tij.
Në momentin që shërbimet e Policisë kanë hyrë në banesë ky shtetas ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë dhe ka kanosur punonjësit e Policisë për vrasje në rast se do afroheshin dhe më pas është mbyllur në banesë.
Menjëherë në ndihmë të Policisë lokale kanë shkuar forcat e DVP Tiranë, FNSH dhe RENEA dhe është bërë rrethimi i banesës, vendosja e perimetrit të sigurisë, evakuimi i banorëve dhe ndalimi i qarkullimit në perimetrin e sigurisë.
Pas negociatave të bëra nga Forcat Speciale RENEA me autorin, për t’u dorëzuar, ku i fundit, pas gjysmë ore, është vetëdorëzuar, në pamundësi për t’u larguar nga banesa.
Personi është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, për veprimeve të mëtejshme.
Grupi hetimor vijon kontrollin në banesë, për gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit.