Për shkak të rritjes së numrit të rasteve të diagnostikuara rishtazi me COVID-19, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur të vendosë ndalesë të plotë të lëvizjes duke filluar nga mbrëmja e së enjtes deri në orët e para të ditës së hënë në disa komuna.
Në konferencën e rregullt për media, ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe njoftoi se Komisioni për Sëmundje Infektive në analizat e tij ka evidentuar shkelje të shumta të masave për parandalimin e virusit, siç janë grupimi për festime familjare dhe mosmbajtja e pajisjeve mbrojtëse.
Prandaj, sipas Filipçes, qeveria sot ka vendosur për rivendosjen orës së plotë policore.
Ora policore do të fillojë në ora 21:00 të enjten (4 qershor) dhe do të zgjasë deri të hënën (8 qershor) në ora 05:00 në të gjitha komunat e Shkupit, në komunat Kumanovë, Likovë, Shtip, Tetovë, si dhe në komunat Bogovinë, Bërvenicë, Tearcë, Zhelinë dhe Jegunoc.
Në të gjitha komunat e tjera, sipas ministrit Filipçe, ora policore do të zgjasë nga e enjtja në ora 21:00 deri të premten në ora 05:00, si dhe nga ora 16:00 deri në ora 05:00 të premten, të shtunën dhe të dielën.
“Shpresoj se më në fund do të jetë e qartë për skeptikët e fundit që virusi nuk është shaka. Virusi nuk do të largohet, derisa të gjithë të pranojmë se është një kërcënim për këdo që nuk respekton masat mbrojtëse kundër tij”, tha ministri Filipçe.
Ai shtoi gjithashtu se përkundër konferencave të shumta për shtyp dhe apeleve, disa qytetarë ende nuk e pranojnë realitetin se përgjegjësia është e secilit individ.
Maqedonia e Veriut sot konfirmoi 101 raste të reja, duke e çuar shifrën e përgjithshme të të infektuarve në 2.492.