Përfaqësuesi i PS-së në tryezën për reformën zgjedhore, Gjiknuri, raportoi sot në Kuvend lidhur me reformën zgjedhore.
Në fjalën e tij ai falenderoi ndërkombëtarët për ndihmën e dhënë duke shtuar se shqiptarët duhet të merreshin vesh vetë.
Ai tha se në marrëveshjen e arritur të gjithë dolën të fituar dhe se kjo do ishte e parë që do mundësohej një votim i pastër në vend.
“Procesi që ka marrë vëmendjen këto ditë nuk meritonte ta merrte atë vëmendje dhe u zhvillua me pjesëmarrjen e ndërkombëtarëve, pasi shqiptarët duhet të merreshin vesh vetë. Falënderoj ndërkomëbtarët që na mbështetën për të arritur një marrëveshje të mirë, ku asnjë nuk humbi, po të gjithë dolën të fituar.
Ne pranuam kërkesën e opozitës për identifikimin, duke pranuar që personi që merret me këtë të zgjidhet nga opozita. Komisionerët do të caktohen me short, do jenë 3 zyrtarë që do të menaxhojnë procesin, që do të kenë dhe dy observues politikë. Përtej kësaj, kërkesa e opozitës ka qenë edhe për garanci shtesë për procesin. Do të jenë dy numërues zyrtarë të përzgjedhur rastësisht me short, dhe përfaqësues politikë. Kanë kërkuar monitorim në cdo qendër votimi dhe iu është dhënë kjo.
Nga ana tjetër, të gjitha kërkesat shqetësuese të opozitës, qoftë për rolin e policisë, qoftë për atë të prokurorisë, janë pranuar. Qeveria teknike nuk mund të ishte kërkesë, dhe më vjen mirë që opozita reflektoi për këtë. U qartësuan edhe shumë pika të tjera dhe më vjen mirë opozita ka ardhur aty ku është. Ky do të jetë procesi i parë në Shqipëri që do të mundësojë një votim të pastër në vend. Vota e tyre nuk do të preket. Ky kod i ri jam i bindur që do ta garantojë këtë.”, tha ndër të tjera Gjiknuri.