Në seancën e sotme parlamentare, deputeti Kostaq Papa ka dhënë dorëheqjen nga grupi parlamentar ku bën pjesë.
Ai fillimisht u ankua për administratën e Kuvendit dhe për nënkryetaren e Kuvendit, Vasilika Hysi, që sipas tij ka qëllime dashakeqe dhe i ka prerë fjalën. E më pas dha lajmin për braktisjen e grupit politik duke thënë se atje bëhen “paudhësi politike”.
“Kam respektuar mënyrën e menaxhimit të seancës nga ana juaj, por edhe kryeministri pranoi në seancën e kaluar një mungesë për fjalën e lirë. Jemi në seancën e parë të muajit qershor, qershori është i Çamërisë.
A ka menduar parlamenti shqiptar për të mbajtur një seancë për të çuar përpara çështjen çame dhe çështjen kombëtare në përgjithësi? Në Shqipëri po mbushen varreza me eshtra qensh dhe nuk kemi një varrezë në Çamëri. Problemi i dytë është harruar interpelanca me ministrin e jashtëm. E treta duhet të rimarrim iniciativën për ndryshimin e sistemit zgjedhor.
E katërta kërkoj gjetjen e një instrumenti në rregullore për t’ju përgjigjur përpjekjeve teknike të gabuara, për të penguar me teknicitete fjalën e lirë me qëllime dashakeqe deri në antishqiptare të nënkryetares Vasilika Hysi.
Kërkoj procedim nga komisioni i etikës kundër saj dhe dorëheqjen e saj nga drejtimi i seancave. Mund të shihni sekuencat e seancave për shkeljet e saj ndaj meje dhe ndaj të tjerëve. Ajo keqpërdor pozicionin e saj, dorëheqja e saj është e pakët.
Në mënyrë periodike për të mbrojtur vlerat e parlamentit duhet të dalë zëdhënësja e parlamentit dhe të përgënjeshtrojë me fakte mediat që sjellin antivlera ose vetëm të prodhojnë lajme të rreme në dëm të parlamentit dhe deputetëve.
Një media pardje ka marrë nëpër gojë tre deputetë të cilët gjendjet civile mund të verifikohen se ku janë. E lëshoj grupin parlamentar dhe jap dorëheqjen prej tij duke lënë paudhësitë politike, po i lë në pseudodemokracitë e tyre.
Nuk kam ndërmend të merrem me asnjërin individualisht, as me prezantime fiasko papagalle por do merrem me fenomenet politike dhe fshehjen që duan t’i bëjnë pas shpine demokracisë dhe fasadës që duan të veshin për përfitime personale, për bythëlëpirje.”- tha deputeti Papa.