Ministri i Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj, u përgjigj sot lidhur me mungesën e numrit të identifikimit në uniformat e efektivëve të policisë gjatë protestës së 17 Majit, në ditën kur u shemb Teatri Kombëtar.
Ai u tha deputetëve të opozitës parlamentare se nuk do t’i marrin vesh kurrë se cilët janë efektivët që kanë qenë në detyrë në atë protestë.
“Ka patur disa shqetësime të tjera të cilat, ju nuk i ngritët këtu, por meqenëse janë ngritur shpesh herë, dhe stafi im i ngriti si pyetje, se stafi im e ka bërë shumë mirë opozitën kësaj radhe, më pyeti, përse kanë qenë punonjësit e policisë pa numra identifikimi?
E vetmja pyetje që ka ardhur nga zonja që parashtroi interpelancën, ka qenë një pyetje për emrat, identitetet e punonjësve të policisë që kanë marrë pjesë në operacion. Sigurisht që jam habitur me një pyetje se çfarë i interesojnë një deputeti të kuvendit të Shqipërisë, emrat e përveçëm të punonjësve të policisë që kanë marrë pjesë në një operacion policor.
Përgjigjja nuk ju ka mbërritur zyrtarisht, e nderuar deputete, por po jua them publikisht, – nuk do t’i merrni kurrë emrat e punonjësve të policisë, sepse nuk keni tagër ligjor për të kërkuar dhe për të bërë hetime ndaj operacioneve policore. Të vetmit që kanë të drejtë të njohin detajet operacionale, emrat e të dhëna të tjera personale për operacionin, është prokuroria e shtetit shqiptar, e cila mund ta bëjë këtë punë.”- tha ministri.
Sipas tij numri i identifikimit është kur ai zbret në terren dhe është i vetëm në detyrë, por se ky nuk është standard për protestat.
“Sa i përket çështjes së uniformës, duhet të them që policia, në datën e operacionit, ka qenë, siç ju thashë, në dy operacione të ndryshme, një operacion për lirim objekti dhe një operacion për menaxhimin e një proteste të paralajmëruar. Dihet fort mirë nga praktika dhe standardet që aplikon Policia e Shtetit që në operacionet për menaxhimin e protestave, policia ka një qasje krejt tjetër nga ditët normale.”- tha Lleshaj.