Në Interpelancën e sotme, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj foli lidhur me dhunën e ushtruar nga efektivët e policisë në protestën e 17 majit, duke thënë se Policia nuk shkoi me dëshirë, por u thirr nga autoriteti pronar.
“Dua të them njëkohësisht që Policia e Shtetit nuk shkoi vetë me iniciativën e saj më 17 maj në mjediset e teatrit, por u thirr në përmbushje të detyrimit të saj ligjor, ashtu sikundër ajo i përgjigjet qindra e mijëra thirrjeve përditë, që vijnë nga të gjitha anët, të gjithë aktorët, nga qytetarët, nga subjektet, nga të rinjtë, nga të rejat, nga të moshuarit, nga bizneset e kështu me radhë. Pra Policia ka detyrë të përgjigjet thirrjeve që vijnë nga kushdoqoftë. Aq më tepër kur ato vijnë nga institucione dhe autoritete zyrtare që kanë tagra ligjorë për këtë punë.
Policia nuk shkoi si palë, por si një autoritet ligjzbatues, i thirrur për të zbatuar një vendim të ligjshëm. Të shqetësuarit, të gjithë, ata hipokritët, por edhe ata që janë realisht të sinqertë në shqetësimin e tyre dhe që kanë shqetësim edhe për përfshirjen e Policisë në këtë ngjarje, duhet të dinë se policia në Shqipëri apo në çdo vend tjetër demokratik të botës, nuk e ka luksin që t’i bëjë vetë ligjet, por ka detyrën që t’i zbatojë ato në mënyrë konsekuente dhe pa interpretime.”– tha Lleshaj.
Më pas ai filloi të jepte një sqarim se policia kishte përdoruar forcë dhe jo dhunë. Ndërsa filloi të sqaronte dy termat.
“Së pari, është pyetja se përse u përdor forca më 17 maj nga policia, apo dhuna nëse doni. Sepse kam dëgjuar të bëhen shumë diskutime sematike “dhuna”, “forca”, në fakt dhuna dhe forca janë gjëra të ndryshme dhe të njëjta. Dhuna është forcë e ushtruar, madje edhe në ligjin për policinë, po ta lexoni, në këto terma shkohet, dhe po t’i shihni, në të gjitha gjuhët normale të kësaj bote, këto janë terma që shpjegojnë njeri-tjetrin. Dhuna është ana kinetike e forcës, forca kur ushtrohet bëhet dhunë.”– vijoi Lleshaj.
FJALIMI I LLESHAJT
Faleminderit për këtë mundësi që më jepni për të sqaruar disa çështje që meritojnë respekt.
Unë në fakt në parim kam respekt për gjithë deputetët e Kuvendit dhe gjithë qytetarët e këtij vendi, dhe në përmbushje të këtij respekti, ndaj kam ardhur sot i përgatitur.
Konstatoj me kënaqësi që jo të gjithë ata që kanë kërkuar interpelancë në mënyrë urgjente ndodhen sot në këtë sallë, për arsye që nuk i kuptoj, sepse minimalisht presupozohet që një kërkesë urgjente të paktën duhet të sigurojë praninë e atyre që e kanë bërë kërkesën. Shoh që shumica e tyre nuk janë këtu.
Megjithatë besoj që përmes atyre që janë këtu, do t’i transmetoni dhe këto komente që unë bëj lidhur me interpelancën.
Së pari, dua të them që unë si ministër i Brendshëm, përgjegjësi të parë kam shërbimin ndaj qytetarëve, në emër të të cilëve jam këtu. Dhe në kuptim, po të isha detyruar të bëja një zgjedhje midis qytetarëve dhe Policisë, do të rreshtohesha me qytetarët dhe jo me policinë. Por që të ndodhë kjo, do duhej që policia të vihej kundër tyre. Dhe për sa kohë kjo nuk ndodh, unë jam me qytetarët dhe me policinë, përballë atyre që i kundërvihen ligjit, i cili materializon interesin tonë të përbashkët marrëveshjen tonë sociale.
Dua ta them që në krye të herës kam mirëkuptim të plotë për të gjithë ata që u shqetësuan për zhvillimet e dt. 17 maj 2020. Zhvillime, të cilat në fakt i dhanë fund me zhurmë historisë së pafat të godinës të teatrit tonë kombëtar.
Nuk kam ndërmend që në këtë interpelancë të harxhoj kohë me çështje që kanë të bëjnë me arkitekturën, thelbin e trashëgimisë, vlerat historike të godinës në fjalë e kështu me radhë.
Dua të them që me keqardhje kam konstatuar se dhe historia e teatrit, ose të themi historia e godinës së tij, ashtu si shumë të tjera, degradoi që në ditët e para të saj në një sherrnajë të rëndomtë politike e cila bëri të vështirë çdo lloj diskutimi konstruktiv për thelbin e çështjes, por margjinalizoi edhe përfshirjen e atyre e personaliteteve që në fakt janë vetë teatri.
Dua të them njëkohësisht që Policia e Shtetit nuk shkoi vetë me iniciativën e saj më 17 maj në mjediset e teatrit, por u thirr në përmbushje të detyrimit të saj ligjor, ashtu sikundër ajo i përgjigjet qindra e mijëra thirrjeve përditë, që vijnë nga të gjitha anët, të gjithë aktorët, nga qytetarët, nga subjektet, nga të rinjtë, nga të rejat, nga të moshuarit, nga bizneset e kështu me radhë. Pra Policia ka detyrë të përgjigjet thirrjeve që vijnë nga kushdoqoftë. Aq më tepër kur ato vijnë nga institucione dhe autoritete zyrtare që kanë tagra ligjorë për këtë punë.
Policia nuk shkoi si palë, por si një autoritet ligjzbatues, i thirrur për të zbatuar një vendim të ligjshëm. Të shqetësuarit, të gjithë, ata hipokritët, por edhe ata që janë realisht të sinqertë në shqetësimin e tyre dhe që kanë shqetësim edhe për përfshirjen e Policisë në këtë ngjarje, duhet të dinë se policia në Shqipëri apo në çdo vend tjetër demokratik të botës, nuk e ka luksin që t’i bëjë vetë ligjet, por ka detyrën që t’i zbatojë ato në mënyrë konsekuente dhe pa interpretime.
Në thelb ligji, siç e thashë më lart, e detyron Policinë të përgjigjet ndaj kërkesave të çdo pronari në rast se prona e tij është zaptuar në mënyrë të paligjshme.
Në datën 17 maj, ajo u thirr nga Policia Bashkiake, nga IMT e Tiranës, për të liruar një objekt që ishte pronë e Bashkisë së Tiranës dhe që kontrollohej në mënyrë të paautorizuar nga një grup personash, pa asnjë tagër ligjor mbi godinën. Dhe i keni përmendur ata dhe keni numëruar muajt, 27 muaj më duket se e tha edhe zonja parafolëse, po – 27 muaj – që kjo godinë ka qenë e uzurpuar nga persona, që nuk kishin asnjë autorizim asnjë tagër ligjor mbi godinën. Ndërkohë që më 17 maj, Policia ka vajtur aty e thirrur nga autoriteti pronar i godinës për të mbështetur veprimet e vetë autoritetit pronar të godinës, për shembjen e kësaj godine.
Çfarë alternativash kishte policia më 17 maj?
Në fakt ajo nuk kishte shumë, kishte vetëm dy. Ose të shkonte dhe t’i përgjigjej kërkesës së Bashkisë për mbështetje, ose ta refuzonte atë. Pra kishte alternativë të zbatonte një detyrim ligjor ose mos ta zbatonte atë. Sigurisht Policia ka zgjedhur të parën, ka zgjedhur plotësimin e detyrimit ligjor.
Unë besoj fort që të gjitha thirrjet patetike, madje dhe histerike drejtuar policisë, për të braktisur detyrën, të cilat përsëriten në këtë vend prej 3 dekadash, nganjëherë me sukses, duke detyruar policinë të braktisë detyrën dhe duke u shkaktuar qytetarëve të këtij vendi humbje të pallogaritshme, humbje të cilat ende vazhdojnë të sjellin efekte mbi jetën dhe mbi të ardhmen tonë, janë një ndër problemet e mëdha me të cilat ne duhet të merremi seriozisht.
Sjelljet për të hedhur kapelet, për t’u larguar nga detyra, dëshmojnë vetëm një gjë, se sa larg jemi ne në parimet elementare të funksionimit normal të shtetit dhe drejtësisë. Policia, të nderuar deputetë, nuk është Gjykatë. Nëse ne do t’ i krijonim policisë shqiptare luksin që ajo të interpretonte dhe vendoste vetë për zbatimin e ligjeve, kjo do të prodhonte rreziqe të paparashikueshme për vetë sundimin e ligjit dhe shtetin e të drejtës në këtë vend.
Pas 30 vitesh përpjekje për ta bërë shtetin-shtet, unë besoj se ka ardhur koha që t’i kuptojmë dhe t’i zbatojmë, se për t’i kuptuar ndoshta i kuptojmë, disa parime elementare.
Së pari, është jo dhunë! Asgjë nuk mund të arrihet nëpërmjet forcës së dhunës, nga askush. Të gjithë thirrjet dhe përpjekjet për arritjen e qëllimeve personale apo politike nëpërmjet dhunës, janë shfaqje e një niveli foshnjor, individual, kolektiv apo dhe shoqëror. Një shoqëri e qytetëruar forcën dhe dhunën i monopolizon dhe i vendos në duart institucioneve të specializuara dhe pastaj kujdeset që këto institucione forcën dhe dhunën ta administrojnë në përputhje të plotë dhe rigoroze me parashikimet e ligjit.
Besoj që edhe po të jetonte sot At Gjergj Fishta, do duhej të na përsëriste disa gjëra që ai shkruante tek “Hylli i Dritës” në vitin 1921 , ku shteti shqiptar ishte realisht në orët e para, flas për shtetin e organizuar plotësisht.
Teksa përpiqej t’u mësonte shqiptarëve abc-në e shtet-formimit, heqjen dorë nga armët, pra nga forca, dhe kalimin e tyre te qeveria, dhe po citoj: “Qeveri konstitucionale e popull me ligje, e gjykata të ndryshme e me armë në krah, asht nji kundërshtim në terma dhe s’ka si kuptohet,- thonte Fishta. Asht nji parodi. Pushka sot, – që kemi qeverinë tonë, – ka për ta hupë Shqipninë, po s’u lshu sa ma parë n’dorë t’qeverisë”.
Dhe më tej vazhdon dhe flet se sa pak vlerë kanë institucionet dhe vetë parlamenti, kur qytetarët e thjeshtë zotërojnë forcën e materializuar te pushka, kur thotë, dhe po citoj prapë: “Përfaqësuesi ose deputeti i këtij populli asht pushka” në atë kohë, “e jo Noka e Islami”. Në këtë kontekst do të thosha që nëse “Noka e Islami” për të përdorur Fishtën, duan t’i përfaqësojnë vërtetë shqiptarët, së pari do duhet që të bëjnë thirrje që shqiptarët të heqin dorë nga dhuna për çfarëdo lloj arsye.
Prandaj nuk lodhem së përsërituri se çdo thirrje apo tentativë për ta goditur policinë, për ta dobësuar atë apo për ta bërë atë të heqë kapelet, në thelb dhe në fund të vlerës, i cenon të drejtat dhe liritë e qytetarëve të këtij vendi
Do kisha dashur në fakt që të kisha mbajt ndonjë pyetje para interpelancës, në fakt nuk arrita të marr ndonjë pyetje të shkruar, kështu që do të mundohem tani t’u përgjigjem disa pyetjeve që disa anëtarë të stafit tim i formuluan në emrin tuaj, në fakt do thosha pyetje të forta, edhe ata shfrytëzuan rastin për t’u vënë në opozitë me mua dhe më bënë pyetje të forta, por unë do të përpiqem t’i kaloj disa nga pyetjet, besoj që adresojmë edhe ato që më përmendët ju.
Së pari, është pyetja se përse u përdor forca më 17 maj nga policia, apo dhuna nëse doni. Sepse kam dëgjuar të bëhen shumë diskutime sematike “dhuna”, “forca”, në fakt dhuna dhe forca janë gjëra të ndryshme dhe të njëjta. Dhuna është forcë e ushtruar, madje edhe në ligjin për policinë, po ta lexoni, në këto terma shkohet, dhe po t’i shihni, në të gjitha gjuhët normale të kësaj bote, këto janë terma që shpjegojnë njeri-tjetrin. Dhuna është ana kinetike e forcës, forca kur ushtrohet bëhet dhunë.
Policia u detyrua me forcë dhe u pengua me forcë për të ushtruar detyrën e saj nga persona që mbanin të zaptuar Teatrin Kombëtar, ashtu si edhe nga personat që tentuan me forcë të thyenin kordonin e sigurisë që policia kishte ndërtuar në funksion të operacionit të parë. Duhet të kujtojmë të nderuar deputetë që në fakt me datën 17 maj policia ka zhvilluar paralelisht dy operacione, ku i pari, thelbësori, ka qenë operacioni për të liruar godinën, e cila pastaj pas lirimit do të duhej të shembej. Dhe në funksion të këtij operacioni ka organizuar pra masat e saj të marra në formë të një plani të mirëfilltë operacional dhe ligjor.
Në këtë përpjekje për të kryer të parën është penguar nga zhvillimi spontan i një grumbullimi të paligjshëm në kushtet e pandemisë, i cili ka tentuar që ta thyejë këtë kordon policie, duke paraqitur rrezik për të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje, si për policinë, si për punonjësit e IMT-së së bashkisë, për punonjësit e tjerë, por edhe vetë protestuesit të cilët rrezikonin nga futja në një mjedis ku po punohej.
Në ligjin për Policinë e Shtetit, neni 133, po e citoj, thuhet kështu: “Punonjësi i policisë përzgjedh nivelin e nevojshëm të forcës ndërmjet mundësive të përshkallëzuara, që, ndër të tjera, përfshijnë bindje me fjalë, shtrëngim fizik, mjete goditëse, mjete me lëndë paralizuese, mjete me goditje elektrike, qen policie dhe armë zjarri”. Këtë njeh ligji aktual i PSH, ashtu si dhe i çdo policie tjetër në botën normale, në kompetencën në autorizime për përshkallzime të forcës për policinë. Pra janë disa shkallë.
Dhe po ta shihni policia ka mbetur tek shkalla e parë, të shtrëngimi fizik. Kaq forcë ka ushtruar policia me datën 17 maj si mënyra e vetme për të ushtruar dhe për të plotësuar detyrën e saj.
Në funksion ose përgjatë kësaj përplasjeje janë kryer disa shoqërime, janë shoqëruar rreth 67 shtetas, proceduar penalisht 30, arrestuar 8, dhe duhet të them që Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, veprimet e policisë për arrestimin e 8 personave i ka konsideruar të ligjshme. Ndonëse ju përdorni termin “barbare”, unë ju them një gjykatë që ka tagrin ligjor për të bërë klasifikimin dhe për ta gjykuar në pikëpamje profesionale, juridike, veprimtarinë e policisë, ka konkluduar që arrestimet e saj me datën 17 maj kanë qenë “të ligjshme”, dhe sipas gjykatës tonë, timen dhe tuajën.
Por ju harroni që ka një hierarki në këtë vend dhe gjykata qëndron në krye të saj dhe atyre duhet t’iu bindemi t’i dëgjojmë duam apo nuk duam, në qoftë se nuk duam të kthehemi tek barbaria, e nderuar zonjë, sepse që në fillim e filluat fjalën tuaj me barbari, por besoj keni nevojë ta shikoni se çfarë do të thotë, të lexoni ndonjë fjalor të paktën, se çfarë do të thotë barbaria. Dhe barbaria është pikërisht ajo gjendje kur njerëzit nuk njohin ligjin. Kjo quhet barbari: “Bellum omnium contra omnes”, e kam përsëritur nja dy herë në këtë parlament, është gjendka kur të gjithë luftojnë kundër të gjithëve dhe ligji nuk ekziston. Ndërsa gjendja e qytetëruar, e kulturuar është ajo kur njerëzit heqin dorë nga vetëgjyqësia dhe deligjësia dhe këtë ia kalojnë në dorë gjykatave. Gjykata që kemi ne, ajo që kemi, sepse këtë kemi, ashtu sikurse dhe këtë parlament kemi dhe këtë ministër kemi, këto që kemi, thonë këtë gjë që veprimet kanë qenë të ligjshme.
Ka patur disa shqetësime të tjera të cilat, ju nuk i ngritët këtu, por meqenëse janë ngritur shpesh herë, dhe stafi im i ngriti si pyetje, se stafi im e ka bërë shumë mirë opozitën kësaj radhe, më pyeti, përse kanë qenë punonjësit e policisë pa numra identifikimi?
E vetmja pyetje që ka ardhur nga zonja që parashtroi interpelancën, ka qenë një pyetje për emrat, identitetet e punonjësve të policisë që kanë marrë pjesë në operacion. Sigurisht që jam habitur me një pyetje se çfarë i interesojnë një deputeti të kuvendit të Shqipërisë, emrat e përveçëm të punonjësve të policisë që kanë marrë pjesë në një operacion policor.
Përgjigjja nuk ju ka mbërritur zyrtarisht, e nderuar deputete, por po jua them publikisht, – nuk do t’i merrni kurrë emrat e punonjësve të policisë, sepse nuk keni tagër ligjor për të kërkuar dhe për të bërë hetime ndaj operacioneve policore. Të vetmit që kanë të drejtë të njohin detajet operacionale, emrat e të dhëna të tjera personale për operacionin, është prokuroria e shtetit shqiptar, e cila mund ta bëjë këtë punë.
Sa i përket çështjes së uniformës, duhet të them që policia, në datën e operacionit, ka qenë, siç ju thashë, në dy operacione të ndryshme, një operacion për lirim objekti dhe një operacion për menaxhimin e një proteste të paralajmëruar. Dihet fort mirë nga praktika dhe standardet që aplikon Policia e Shtetit që në operacionet për menaxhimin e protestave, policia ka një qasje krejt tjetër nga ditët normale.
Në qoftë se në ditët normale, punonjësit e policisë instruktohen, kontrollohen që të shkojnë në patrullim të pajisur me armë, me mjete të tjera, me numër identiteti, me radio, laps, letër etj., në menaxhimin e protestave ata instruktohen për të pasur një qasje dhe një model krejt të ndryshëm, qoftë sa i përket pajisjeve, atyre u thuhet të mos kenë armë, të mos kenë mjete të tjera që nuk lejohen në protestë etj..
Kështu që, po të verifikoni edhe në praktikat më të mira, keni rastin sot të shihni se ka përditë protesta në vendin më demokratik të botës, – a do të shihni policë që kanë targa në gjoks apo jo?! Dhe ju garantoj, nuk do të shihni punonjës policie që t’i kenë këto numra identiteti, jo se ka gjë për të fshehur, por për një fakt të thjeshtë, – të gjithë punonjësit e policisë, që shkojnë në një operacion, të organizuar, janë të identifikuar përmes drejtuesit të tyre.
Të gjithë barrën e përgjegjësisë për veprimet, mosveprimet, suksesin, dështimin e policisë në një operacion të organizuar e ka drejtuesi i tyre. Emrat e tyre i dini dhe këtë jua jap gjithë ditën. Ju jap emrin e drejtorit të Tiranës, emrin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe nëse doni përgjegjësi politike, keni emrin tim. Dhe mjaftohuni me këto. Nuk e di se çfarë ju duhet emri i “Nokës” apo “Islamit” atje. Nuk ju vlen dhe nuk duhet t’i keni.
Ka qenë dhe një pyetje tjetër, për mediat. Policia, të nderuar deputetë, nuk njeh hierarki në misionin e saj. Nuk njeh askënd, përveçse ligjin.
Atë ditë ka pasur dy incidente me 2 përfaqësues të medias të cilët nuk kanë qenë në ushtrim të detyrës së tyre, si përfaqësues të medias, por kanë ndërhyrë dhe kanë penguar me dorë, fizikisht punonjëset femra të policisë, gjatë kryerjes së detyrës.
Dhe e dini që pengimi i punonjësit të policisë për kryerjen dhe ushtrimin e përgjegjësisë ligjore përbën vepër penale. Dhe këtë të drejtë nuk e ka as media, as ministri.