Të paktën 39 fëmijë dhe mësues janë plagosur në një sulm me thikë në një shkollë në Guangxi, në jug të Kinës. Pushteti vendor tha se 37 fëmijë dhe dy të rritur pësuan lëndime me thikë, gjatë një sulmi që ndodhi rreth orës 08:30 të mëngjesit të së enjtes.
Independent shkruan se dy prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore. I dyshuari për ngjarjen është roje sigurie i shkollës. Ai është ndaluar nga policia, ndërsa mbetet e paqartë se çfarë motivesh e shtunë drejt këtij veprimi.
Në vitet e fundit në Kinë kanë ndodhur shpesh sulme të ngjashme. Kujtojmë se një grua që mbante thikë plagosi 14 fëmijë në një kopsht fëmijësh në tetor të 2018-ës, në qytetin perëndimor të Chongqing.
Pothuajse 20 fëmijë u vranë në sulmet në shkolla në vitin 2010, duke detyruar zyrtarët e lartë të shtonin numrin e punonjësve të sigurisë në institucionet arsimore.