Pak ditë pasi mori gjobën e majme prej 50 milionë lekësh të vjetra, avokati Altin Goxhaj thotë se është i pari qytetar në Europë që është gjobitur nga një qeveri me një gjobë kaq të lartë, vetëm pse ka bërë thirrje për një protestë paqësore.
Ai ka publikuar email-in e një miku të tij jurist, i cili punon me institucione të të drejtave të njeriut, por që nuk i zbulon emrin deri sa të mbarojë punën pa pengesa.
“Sipas një miku tim jurist që jeton prej vitesh jashtë dhe punon me institucione të të drejtave të njeriut (më kërkoi të mos ja bëjë publik emrin sa të kryejë punë pa pengesa), kjo është gjoba më e madhe që i është vënë një qytetari në Historinë e Europës këto 30 vjet postkomunizëm për çështje proteste përfshi edhe PLANdeminë!”– shkruan Goxhaj.
Juristi e konsideron një skandal të paprecedentë vendosjen e një gjobe të tillë nga qeveria, duke marrë parasysh se gjoba të tilla nuk janë vënë as në shtete më të pasura.
Madje ai thotë se vendosja e gjobave të tilla konsiderohet edhe si “nxitje për vetëvrasje” në jurisprudencë.
“I dashur Altin,
ky është një fakt raportimi ndërkombëtar dhe do merrem personalisht me këtë sepse është skandal i papreçedentë sidomos duke marrë parasysh që ndodh në vendin më të varfër të Europës! Një gjobë e tillë nuk është raportuar as në Rusi apo Bjellorusi si vende me preçedentë të rëndë të shkeljes së të drejtave të njeriut e aq më pak në Hungari apo Serbi për të cilat ka raportime të herë pas hershme.
Duke iu referuar Nenit 3.2 të Aktit Normativ
nr 3, gjoba fikse prej mbi 41.666 euro, kërkon 16 vjet të punosh veç për ta paguar këtë gjobë nëse ke një rrogë bazë prej 250 Euro/muaj apo 100 vjet nëse të njihet e drejta e minimumit jetik të varfërisë prej 200 Euro/muaj!
Pra përveç lirinë e shprehjes dhe grumbullimit, kjo shkel në mënyrë të papreçedentë dhe të pandodhur krahasimisht më parë parimin e proporcionalitetit!
Në jurisprudencë njihet si “nxitje për vetëvrasje për njerëz emocionalisht të brishtë apo në gjëndje të rënduar emocionale, psikologjike, sociale dhe ekonomike” dhe hartuesit dhe miratuesit atakohen dhe mund të akuzohen për vepra penale që lidhen me nxitjen e vetëvrasjes te kundërshtarët politikë.”– i shkruan miku jurist Goxhajt, ndërsa i premton se do të bëjë maksimumin për ta raportuar rastin e tij në të gjitha institucionet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, përfshirë këtu Parlamentin Europian, Këshillin e Europës, Komisionin Europian, OKB, etj.
Në një postim në rrjetet sociale, Goxhaj kujton se edhe gazetari Kastriot Çipi po hetohet nga i njëjti komision, për t’i vënë të njëjtën gjobë javës që vjen, për të njëjtën protestë. Ai u bën thirrje gazetarëve e aktivistëve të reagojnë lidhur me këtë.
“Duke pasur parasysh se sa grumbullime dhe protesta janë konsumuar këto ditë në paqe me policinë, dhe duke qenë se gazetari Kastriot Çipi është në hetim nga i njëjti Komision për vendosjen e të njëjtës gjobë javën që vjen për të njëjtën protestë,
Jam në pritje të reagimit të gazetarëve, aktivistëve, politikanëve dhe “shoqërisë civile” për këtë.
Dmth ata që bëjnë sikur mbrojnë të drejtat e njeriut dhe lirinë e shprehjes dhe këtë e thonë live apo me regjistrim me pompozitet netëve televizive të çensurës së përnatshme.
Dmth që bëjnë SIKUR nuk i pagu Sorosi apo nuk kanë lidhje me të.
Ja të shohim se ky është edhe një test që tu tregojnë atyre që i marrin seriozisht se janë ushtarë të Soros apo njerëz të lire”- thotë ai.
Avokati dhe aktivisti Altin Goxhaj, disa javë më parë gjatë masave shtrënguese për shkak të epidemisë së shkaktuar nga koronavirusi, protestoi te sheshi Skënderbej në Tiranë, kundër tyre.
Ditën që protestonte Goxhaj së bashku me aktivistë të tjerë, u shoqëruan në polici ndërsa pas tubimit, avokati edhe u gjobit.
Në procesverbalin e publikuar nga Goxhaj, policia thotë se gjoba është për shkak se ai ka thyer aktin normativ për masat ndaj Covid 19.