Të tjera detaje mësohen lidhur me ekzekutimin e dy vëllezërve në fshatin Gramëz, në Krujë. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë rreth orës 22:25, në fshatin Gramëz.
Vëllezërit Gramoz dhe Xhontil Bardhi, përkatësisht 34 dhe 24 vjeç, ishin bërë sherr në një lokal me një bashkëfshatarin e tyre, Roland Pula.
Dy familjet sipas policisë kishin konflikte të vjetra me njëri-tjetrin, pasi shpesh herë kishin përfunduar në konfrontime fizike, por mbrëmë konflikti i tyre përshkallëzoi në përdorimin e armëve. 32-vjeçari Roland Pula përdori armën.
Dy vëllezërit ndërruan jetë gjatë rrugës për në spital, ku u shoqëruan nga dëshmitarët.
Një nga pistat që policia po heton është se një dekadë më parë, një nga djemtë e familjes Bardhi plagosi me thikë xhaxhanë e Pulës. Për krimin, ai kreu dënimin dhe doli nga burgu.
Dy familjet kanë pasur vazhdimisht përplasje për këtë ngjarje.
Siç tregojnë njerëzit në fshat, vëllai më i vogël Xhontili ishte njeri i qetë, besimtat dhe kishte mbaruar shkollën për prift në Shkodër. Mirëpo gjatë pauzës 2-vjeçare që i jepet për t’u menduar dhe vendosur nëse pranon që të bëhen apo jo prift, ai ka hequr dorë.
Ndërsa Gramozi ishte i martuar dhe me dy fëmijë.
Pista tjetër është për prishje të pazareve. E shpjegojmë.
Siç shkruan Shqiptarja.com, Pula njihet nga policia e Krujës, si person me precedentë penale, kryesisht në vjedhje dhe kultivim të lëndëve narkotike.
Ai ishte arrestuar në vitin 2008, e në 29 tetor 2010 u dënua nga gjykata e këtij qyteti me 6 muaj burgim për akuzën e “kanosjes” me armë, 4 muaj burgim për akuzën e “Plagosjes së lehtë me dashje” dhe 2 vjet burgim për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve luftarake”.
Në fund Pula u dënua përfundimisht me 2 vite burgim, dënim të cilin e kreu gjatë qëndrimit në ambientet e paraburgimit në Fushë-Krujë, çka bëri që ai të dilte menjëherë pas vendimit të gjykatës.
Gjatë kësaj periudhe, Pula ka udhëtuar disa herë në Itali e Gjermani, ndërsa ka dyshime se ka kryer një sërë vjedhjesh në këto shtete. Por në këtë fazë të hetimeve nuk ka asgjë të provuar.
E policia dyshon se Pula ka bashkëpunuar më parë me dy vëllezërit Bardhi, në disa vjedhje me dhunë dhe në kultivimin e drogës. Mirëpo diçka ka shkuar keq duke tronditur marrëdhëniet mes tyre, e ata janë konfliktuar disa herë fizikisht.
Në mesnatën e djeshme, policia mundi të gjejë vetëm automjetin luksos të braktisur nga Pula, ndërsa thotë se ka vënë në përdorim edhe dronë për të gjetur vendodhjen e tij.