Ministri i Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj, paraditen e sotme ishte në Velipojë në një takim të organizuar për masat lidhur me turizmin, mbrojtjen e mjedisit dhe luftën antikanabis.
Lidhur me luftën kundër drogës, Lleshaj tha se kjo luftë po bëhet në dy fronte, e atyre që merren me kultivim dhe trafik si dhe zyrtarëve përgjegjës në disa institucione e instanca shtetërore.
“Lufta kundër kanabisit mbetet përgjegjësi e madhe për ata që kanë përgjegjësi, zyrtarë të pushteti vendor apo qendror, apo subjekte privatë. Deviza ime si ministër mbetet lufta pa komporomis kundër kanabisit e kjo luftë do vazhdojë në dy fronte, për të luftuar kriminelët që merren realisht me kultivimin e trafikimin e bimëve narkotike dhe vënien para përgjegjësisë të kujtdo që ka përgjegjësinë për administrimin e vënien në kontroll të territorit.
Kjo pak Shqipëri që kemi, ka shumë përgjegjës, IKMT, autoritetet vendore, subjektet private, të gjithë këta duhet ta kryejnë këtë përgjegjësi.
Policia të ‘kosisi’ kriminelë e ‘kosisi’ zyrtarë që nuk bëjnë detyrën. Nëse do e përdorja atë metaforën, nëse unë do dal me një kosë nëpër Shqipëri do synoj të pres zyrtarë që nuk bëjnë detyrën e tyre, nga zyrtarë policie, të inspektoriatëve përkatëse të territorit, të pyjeve mjedisit etj, aq shumë janë.
Nga policia kërkoj sisdomos të vlerësojë që një njollë që Shqipëria e mban prej kohësh ta zhbëjmë se nuk është e ardhmja e Shqipërisë e shqiptarëve marrja me këtë krim, kanabisi prodhon krime të tjera, shumë krime që ndeshim përditë burojnë e kanë fillesën te kanabisi e gjëra të tjera”, tha Lleshaj.