Vendosni fjalën kyçe....

“S’pati konsensus mbi ndryshimin e sistemit” – Marrëveshja PS-PD-LSI për zgjedhjet e ardhshme


PS-PD-LSI kanë arritur mbrëmjen e sotme marrëveshjen për administrimin e reformës zgjedhore, një nga pikat më të debatuara të ditëve të fundit dhe që kishte bërë që procesi të ngecte.

Sipas marrëveshjes së arritur mbrëmjen e sotme, PS-ja ka pranuar identifikimin biometrik në zgjedhjet e vitit 2021 si dhe ka hequr dorë nga depolitizimi i administratës zgjedhore.

Identifikimi biometrik do paguhet nga qeveria ndërsa një ekspert i BE-së do punësohet për shtrirjen e tij.

Po kështu, KQZ-ja do riformatohet duke u kthyer në një organ të ndarë në tre trupa të balancuara politike. Kryetari do zgjidhet me konsensus ndërsa nënkryetari nga opozita.

Ditë më parë, palët kishin arritur marrëveshjen për financimin e partive, periudhat zgjedhore dhe kuotat gjinore ndërsa kanë mbetur ende disa çështje teknike për t’u miratuar para se Kodi Zgjedhor të jetë i plotë.

Pas përfundimit të tryezës, Meta, Rama, Basha e Kryemadhi e përshëndetën atë edhe pse në forma të ndryshme.

Presidenti theksoi se marrëveshja ishte lajm pozitiv por jo e mjaftueshme për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme.

Kryeministri Rama tha se më në fund PD-ja do futej në zgjedhje me Kodin Zgjedhor që do vetë ndërsa kreu i opozitës, Basha theksoi se sot ishte arritur një hap i rëndësishëm për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi tha se marrëveshja e arritur duhet të zbatohet pa humbur kohë pasi pa zgjedhje të lira s’ka demokraci.

Marrëveshja u përshëndet edhe nga ambasada amerikane dhe ajo e BE-së. Që Kodi Zgjedhor të bëhet funksional duhet të miratohet zyrtarisht në Kuvend, gjë për të cilën palët janë shprehur të bindura se kjo do ndodhë para përfundimit të këtij sesioni parlamentar.

Pikat e dakordësuara

  1. Identifikimi elektronik: ODIHR rekomandon një sistem pilot që përfshin jo më shumë se 20 përqind të votuesve që Këshilli propozoi. Sidoqoftë, partitë angazhohen të mbështesin zbatimin e identifikimit elektronik që përfshin 100 përqind të votuesve në zgjedhjet e ardhshme. Teknologjia do të përcaktohet nga KQZ e mbështetur nga ekspertiza ndërkombëtare. Qeveria e Shqipërisë garanton fonde për zbatimin e teknologjisë.
  2. KQZ: KQZ-ja do të ketë një zëvendëskomisionar, i cili do të jetë përgjegjës për përcaktimin e qëndrueshmërisë dhe zbatimit të identifikimit biometrik të votuesve. Zëvendësi ka përgjegjësi të barabartë me kryetarin për monitorimin dhe zbatimin e identifikimit biometrik të votuesve. Një ekspert tjetër ndërkombëtar do të mbështesë KQZ-në dhe Zëvendës Komisionerin në trajnimin për zbatimin e identifikimit biometrik të votuesve.
  3. KQZ, Struktura e KQZ-së përbëhet nga pesë anëtarë; apeli po ashtu nga pesë anëtarë; dhe një ekzekutiv dhe zëvendësi i tij. Anëtarët do të bien dakord në shumicë. Komisioneri shtetëror do të zgjidhet përmes konsultimeve.
  4. Ekipet e numërimit: Dy persona jo-politikë, njëri prej të cilëve numëron ndërsa tjetri ndihmon, duke ndërruar rolet me secilën kuti votimi. Anëtarët e mbetur do të jenë përfaqësues të maxhorancës dhe opozitës. Por mund të jetë edhe rasti që të ketë ndonjë monitorues nga katër partitë kryesore parlamentare që morën rezultatet më të mira nga zgjedhjet e vitit 2017.
  5. Qendra e Votimit: Të drejtat dhe përgjegjësitë e dy anëtarë të komisionit janë të kufizuara në të drejtat e monitorimit dhe të kontestimit. Tre të emëruar përmes shortit nga KQZ, do të marrin vendime, ndërsa dy të tjerët do të shërbejnë si asistentë.
  6. ZAZ: Do të jetë e njëjta strukturë me qendrën e votimit.
  7. Kolegji Zgjedhor zgjidhet nga gjyqtarët që kanë kaluar procesin e Vettingut.
  8. Ankesat: Procesi i apelit të Kolegjit Zgjedhor mbetet i pandryshuar (d.m.th., ankesat dëgjimore nuk do të shkojnë direkt në Gjykatën Kushtetuese.
  9. Depolitizimi: Nuk do të bëhen ndryshime në administratën zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme (parlamentare dhe lokale). Punonjësit e sektorit publik do të kenë të drejtë të jenë pjesë e administratës zgjedhore në zgjedhje (parlamentare dhe lokale) pas votimeve të ardhshme. Reforma e administratës publike në Shqipëri do të theksojë depolitizimin e administratës civile.
  10. Miratimi: Të gjitha propozimet e dakordësuara do të hartohen  ndryshime ligjore që do të rishikohen dhe kontrollohen nga Këshilli Politik për t’ja parashtruar Parlamentit. Pas çdo korrigjimi teknik të propozuar DUHET të aprovohet nga Këshilli Politik për të votuar.
  11. Masat shtesë: Këshilli politik do të vazhdojë të diskutojë për të adresuar rekomandimet kryesore të ODIHR në lidhje me: (1) – blerjen e votave; (2) presionin ndaj votuesve dhe administratës publike; (3) keqpërdorimin dhe abuzimin e burimeve të administratës, shtetërore dhe financiare; (4) përplasjet me grupet kriminale; (5) lirinë e votës dhe fshehtësia; dhe (6) manipulimin dhe falsifikimin e rezultateve zgjedhore. Mungesa e progresit në këto propozime NUK do të parandalojë ose vonojë marrëveshjen.
  12. Hyrja në fuqi; Pikat 1, 2, 3, 7, 8, 9, 10, dhe 11 më lart dhe dy Shënimet më poshtë hyjnë në fuqi për zgjedhjet e ardhshme (parlamentare dhe lokale). Pikat 4, 5 dhe 6 më lart hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve të ardhshme (parlamentare dhe lokale).

Shënimet

  • Propozimi për qeverinë kujdestare dhe shefin e përkohshëm të Policisë nuk do të jetë kusht për arritjen e marrëveshjes së mësipërme.
  • Nuk pati konsensus mbi ndryshimin e sistemit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *